Lajme Arkiva - TV Klan 2003
Në vëzhgimin dhe kujdesin e një drejtuesi të Shërbimit Informativ në Durrës, dyshohet të jetë kryer prej disa vitesh trafikimi i një numri të miturish nga Shqipëria drejt Italisë. Pas hetimeve të shumta dhe arrestimeve të personave që konsideroheshin si anëtarë të një organizate kriminale, autoritetet e drejtësisë shqiptare dhe asaj italiane, kanë zbuluar kokat e këtij trafiku.
Në orët e mëngjesit, një aksion i drejtuar nga krerë të policisë kriminale shqiptare, arrestuan në Durrës, Besim Metanin dhe Sofokli Çokon, ish-policë trageti dhe më pas policë të zjarrfikëses në Durrës. Këta dy persona janë drejtuesit e rrjetit, i cili mendohet të ketë shitur në Itali pothuajse 50 fëmijë.
Ndërkohë në Pordenone të Italisë, ku kishte shkuar me shërbim prej disa ditësh, u prangos nga policia italiane kreu i Shërbimit Informativ për portin e Durrësit, Ramadan Paja. Në banesën e këtij të fundit në Durrës është gjetur shuma prej 15 mijë eurosh, ndërkohë që në banesat e të arrestuarve të tjerë janë gjetur leje qëndrimi italiane të falsifikuara. Pasaporta dhe dokumente të tjerë të falsifikuar.
Të arrestuarit e tjerë në Durrës, janë Xhevat Berberi, i dënuar më parë për shfrytëzim prostitucioni, Musa Sina, i dënuar dy herë për trafik klandestinësh dhe Selman Metani. Bëhet e ditur se u arrestua dhe një grua dhe një person tjetër, të cilët rezultojnë si anëtarë të rrjetit.
Hetimi për organizatën kriminale ka nisur në Shqipëri, me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku, ndërkohë që drejtësia italiane, ka siguruar një numër provash, kundër të arrestuarve. Në Gusht të vitit të kaluar ra në prangat e policisë italiane, çifti shqiptar Xhuliana dhe Ramiz Petalli, anëtarë të të njëjtit rrjet. Pak muaj më pas u arrestua në Durrës Sofie Kaçurri dhe në Itali një avokat italian, i implikuar në të njëjtën organizatë.
Aksioni i mëngjesit të sotëm, ku u prangosën në Itali, një tjetër avokat italian dhe një oficer i policisë gjyqësore në Itali, mendohet se ka goditur përfundimisht organizatën kriminale. Tani mbetet të zbardhet, se ku ndodhen fëmijët shqiptarë të trafikuar prej të arrestuarve gjatë këtyre viteve nga Shqipëria./tvklan.al
SUBSCRIBE to “RTV KLAN” on YouTube for more videos!
Për më shumë informacione vizitoni faqen tonë web [ Ссылка ]
Videot e fundit nga Tv Klan i gjeni në faqen [ Ссылка ]
Follow Tvklan on Facebook: [ Ссылка ]
Follow Tvklan on Instagram: [ Ссылка ]
Programet e Tv Klan mund t’i ndiqni edhe në faqen [ Ссылка ]
Ещё видео!