Pa marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka kërkuar nga kreu i Kuvendit Glauk Konjufca që të thirrë kryesinë e Kuvendit.
Kurti ka kërkuar që kryesia të caktojë më datë 3 shkurt seancën për votimin e qeverisë, ndonëse sipas afatit kushtetues ai ka kohë deri më 4 shkurt.
I nominuari për zëvendëskryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje Haki Abazi thotë se posti i kryeparlamentarit është i pakthyeshëm. Ai thtoë se po bëjnë të gjitha përpjekjet për të arritur koalicionin me LDK-në.
“Ne kemi thënë se do të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë deri në çastin e fundit të mandatit kushtetues që të arrihet marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe kjo mbetet e pandryshuar deri në momentin kur nuk ekziston si mundësi”, u shpreh Abazi.
Kurti ka takuar ndaras minoritetet serbe dhe joserbe, apetitet e të cilave janë shtuar për më shumë se nga një ministri.
Veton Berisha, përfaqësues i Komunitetit Egjiptian tha se “qëllimi i takimit ishte kërkesa e Kurtit për ta mbështetur atë në formimin e qeverisë. Kërkesa jonë prej fillimit ka qenë që të kemi një përfaqësim ku komunitetet me qenë më active në vendimmarrje e sidomos komuniteti egjiptian ka kërkuar prej fillimit që të ketë një përfaqësim në qeveri”.
Kurti në bisedime me LDK-në janë marrë vesh që të zvogëlojnë në 12 numrin e ministrive. Me këtë rast në bazë të Kushtetutës së Kosovës 2 ministri u takojnë komuniteteve njëra komunitetit serb dhe tjera komuniteteve të tjera.
Në rast të shtimit të numrit të ministrive atëherë edhe një ministri u takon komuniteteve. Ndërkohë të martën ishte takimi i fundit ndërmjet LVV-së e LDK-së të cilët edhe në praninë e ndërkombëtarëve nuk arritën të pajtohen për koalicion qeveritar. /abcnews.al
Ещё видео!