Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron do të jenë sot nikoqirë të liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Samitin që do të mbahet në Berlin.
Samiti është joformal dhe ka të bëjë me mbështetjen që Gjermania dhe Bashkimi Evropian u japin gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Bosnjë e Hercegovinës) në zhvillimin e projekteve të përbashkëta në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.
Në këtë samit, pritet të jetë e pranishme edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini si dhe përfaqësuesi i Sllovenisë.
Bazuar në agjendën e Samitit, Merkel fillimisht pritet të takojë kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, si dhe atë të Shqipërisë, Edi Rama. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë shpresojnë që edhe ky Samit t’u ndihmojë atyre për ta marrë datën e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.
Nga Kosova, në Samit do të jenë presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kurse nga Serbia, presidenti Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrja Ana Brnabiq.
Më pas, Merkel dhe Macron pritet t’u adresohen mediave edhe përmes një konference për gazetarë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtur një konferencë për medie të dielën para nisjes për në Gjermani, ku do të marrë pjesë në Samitin e Berlinit. Me këtë rast, ai ka thënë se ky takim do të jetë një mundësi e mirë për hapjen e perspektivës më të shpejtë për të ardhmen evropiane të rajonit. Thaçi ka bërë me dije se shteti i Kosovës në këtë samit shkon me qëndrime shumë të qarta.
Ai ka shprehur gatishmërinë e Kosovës për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, por ka përjashtuar shkëmbimin e territoreve, sovranitetin e dyfishtë dhe çfarëdo asociacioni.
“Nuk pres se aty do të ndodhë dialog në mes të Kosovës dhe Serbisë apo negociata, por në të njëjtën kohë vazhdoj ta ritheksoj fuqishëm pozicionin tim se do të ishte me interes mbështetja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkëngjitje me Republikën e Kosovës. Ky do të ishte një korrigjim i padrejtësive historike, por gjithmonë do të jem kundër shkëmbimit të territoreve sepse është çështje e pazareve dhe nuk do të lejojmë një gjë të tillë të përdoret. Nuk do të lejojmë asnjë lloj sovraniteti të dyfishtë, as ndonjë model gjermano-gjerman, as ndonjë model të Republika Srpskës apo asnjë lloj asociacioni, sepse të gjitha janë tejkaluar”, ka deklaruar Thaçi, duke shtuar se Kosova nuk do të pranojë dialog të kushtëzuar.
“Gjithashtu, theksoj se edhe sa i përket mundësisë së vazhdimit të dialogut Kosova është shumë e qartë: është e gatshme ta vazhdojë dialogun me Serbinë për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Një marrëveshje që ka perspektivë të sigurt për fqinjësi të mirë dhe njohje reciproke, por në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë dialog të kushtëzuar nga Serbia. Në këtë takim pres nga Merkeli dhe Macroni që të dënohet gjenocidi që Serbia ka kryer në Kosovë, sepse në Berlin do ta kemi përballë një Serbi që ka kryer gjenocid në Kosovë”, ka thënë Thaçi.
Po ashtu, ai ka thënë se në Samitin e Berlinit pret që nikoqirët, kancelarja Merkel dhe presidenti Macron, ta kërkojnë njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia dhe pesë vendet e Bashkimit Evropian.
Copyrighted by News24 Albania
Ещё видео!