ROME - “Krimi nuk njeh kufi dhe burokraci, ndaj duhen instrumenta të përbashkëta për luftën ndaj tij për një rajon më të sigurt”. Ka qenë ku mesazhi që Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka dhërë sot në takimin e ministrave të Brendshëm të Ballkanit Perëndimor, Italisë dhe Francës që u mbajt në Romë të Italisë.
Në fjalën e tij, Ministri Tahiri ka propozuar ngritjen e mekanizmave për bashkëpunimin dhe koordininin ndërmjet agjencive në rajon. Tahiri theksoi se krimi nuk njeh as kufij e as burokraci, ndaj nevojitet më shumë bashkëpunim dhe koordinim ndërmjet shteteve për të qenë më të shpejtë se krimi.
Dhe kjo sipas Tahirit do të mundësonte rezultate më efikase në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, terrorizmit si dhe trafiqeve të paligjshme.
“Bashkëpunimi mes nesh është shumë i rëndësishëm për aq kohë sa ne duhet të shkëmbejmë informacionin për arritjet tona, po njëkohësisht të mësojmë edhe nga gabimet e njëri-tjetrit. Në këtë fazë sfidat tona janë të përbashkëta, sidomos kur flasim për çështjen e terrorizmit, që është një sfidë sa rajonale aq edhe globale ndaj suksesi ynë varet nga bashkëpunimi. Një propozim fillestar është krijimi i një bordi të veçantë me teknicienë nga rajoni i Ballkanit, të cilët mund të koordinojnë më mirë punën mes tyre, të shkëmbejnë informacione mes agjencive përkatëse, jo vetëm për çështje operacionale por edhe për çështje te tjera. Kjo do të na ndihmonte në kapacitet tona për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe po ashtu edhe terrorizmin, e trafiqet e paligjshme, për të pasur të dhëna më të qëndrueshme dhe së fundmi të na bëjë më të mirëpregatitur për t’iu bashkuar familjes europiane me vlerat tona të përbashkëta, për të cilat jam i sigurt që duam t’i ndajmë me njëri-tjetrin”, tha ndër të tjera në fjalën e tij ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.
Ещё видео!