Nisma më e re e qeverisë, që duke nisur nga 1 shkurti programi mësimor do të ndryshojë, duke bërë 3 lëndë në 6 orë, nuk është pritur mirë nga të gjithë. Eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti, në një intervistë për IN News, e quan të nxituar këtë vendim, duke shtuar se një program i këtij lloji, më parë duhej testuar në dy-tre shkolla e më tej të merrej vendim, nëse është i duhuri apo jo.
Ndriçim Mehmeti: Ndoshta kjo nismë mund të kishte vend, në rast se pilotohej. Domethënë, kjo gjë duhej të mendohej qëkur Ministria e Arsimit në vend të dy lëndëve i bëri me pesë lëndë. Pra, me pesë tekste shkollore, ku shtoi edhe Edukimin Shoqëror, edhe Diturinë e Natyrës, edhe Teknologjinë e Informacionit, që e shtoi që në vit të parë. Pra, duhej të parashikohej që në fillim, se cilat ishin ngarkesat e nxënësve, si mund të shpërndaheshin dhe sa më e lehtë dhe argëtuese mund të bëhej. Jam skeptik, për faktin se a mund të vendosë vetëm një prind për 600 mijë fëmijë?!
Mehmeti hedh e një dyshim të fortë, kur thotë se kjo nismë nuk është propozim i një prindi, por një kopje e keqe e një modeli britanik. Sipas tij, shkollat shqiptare nuk kanë kushte të favorshme që të implementojnë variantin britanik dhe jep këto argumenta.
Ndriçim Mehmeti: Këtu presupozohet që do t'i bëjmë dyshe, sepse do të bëjmë edhe detyrat e shtëpisë, por ndërkaq nga klasa e parë deri në klasë të gjashtë nxënësit në Angli marrin vetëm një orë e gjysmë detyra dhe kryesisht të premteve dhe vetëm 20 minuta lexim. A e kemi infrastrukturën, kushtet ne? Nuk i kemi. Të bësh një nismë të tillë do të thotë të kesh shkolla me ushqim, gjë që ne nuk i kemi. A është pyetur shërbimi psikosocial, a e duron dot fëmija këtë ngarkesë? Si do të bëhen 3 lëndë në 6 orë mësimi me klasa kolektive?! Kush e merr përsipër për ta bërë këtë?
Edhe pse eksperti i arsimit beson se realizimi i saj do të jetë i pamundur, vetë prindërit, nxënësit e mësuesit, kur të nisë zbatimi i saj në 1 shkurt, do të shohin në praktikë, nëse programi do të gjejë vend në shkollat e Shqipërisë apo jo. Deri atëherë na ndajnë edhe dy javë.
------------------------------------------
IN Tv Albania
Follow us:
[ Ссылка ]
[ Ссылка ]
[ Ссылка ]
Offcial website:
[ Ссылка ]
Ещё видео!