SHKODER - Dy të vdekur mes të cilëve edhe një shtetas italian dhe 4 të plagosur është bilanci i aksidentit tragjik të ndodhur pranë “Gurit të Mashit” në Kir të Dukagjinit. Aksidenti i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së premtes rreth orës 22-00, kur fuoristrada në të cilën udhëtonin 6 persona është rrëzuar në humnerë në rreth 200 metra thellësi.
Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën menjëherë shtetasi Italian 67- vjeçari Giorgio Faragiano si dhe 35- vjeçari Pellumb Murri, i plagosur rëndë ka mbetur drejtuesi i automjetit 24 vjeçari Fatjon Pjetri si dhe pasagjerët Kristjan Gjini 23 vjeç, Fran Deda 34 vjeç dhe Erald Papleka 22 vjeç. 6 të aksidentuarit po udhëtonin nga Dukagjini në drejtim të Shkodrës, dhe në momentin që kanë qënë pranë vendit të quajtur “Guri i Mashit”, drejtuesi I automjetit ka humbur drejtimin dhe për pasojë fuoristrada ka rënë në humnerë.
Kanë qënë disa banorë të kësaj zone që kanë parë automjetin duke rënë në humnerë dhe kanë lajmëruar efektivët e policisë së Shkodrës ndërsa janë përpjekur për t'i ardhur në ndihmë të aksidentuarve. Në drejtim të vendit të ngjarjes përveç efektivëve të rrugores dhe grupeve të gatshme janë dërguar edhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë. Pavarësisht ndihmës së banorëve dhe mbërritjes së forcave të policisë trupat janë nxjerrë nga humnera pas rreth 30 minutash për shkak të errësirës dhe terrenit të vështirë, ndërsa janë dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës.
Sipas bluzave të bardha gjendja e të mbijetuarve është e rëndë për shkak të plagëve të marra. Ndërkohë grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve të kësaj ngjarjeje të rëndë, ndërsa dyshohet se rruga e amortizuar të ketë ndikuar që 24 vjeçari Pjetri të ketë humbur drejtimin e fuoristradës.
Sipas të afërmeve të të aksidentuarve, shtetasi Italian 67- vjeçari Faragiano po kthehej nga Dukagjini pasi kishte inspektuar nga afër zonën sepse të dielën do të shoqëronte një grup turistësh Italian në këto zona. I ndjeri kishte në Shkodër edhe një Hostel dhe një agjenci udhëtimi për në zonat turistike të Veriut të Shqipërisë dhe shoqëronte turistët e huaj.
Ещё видео!