Mes duartrokitjeve të shumta, në një sallë të mbushur me flamuj kuq e zi, Edi Rama u prit nga mijëra shqiptarë të Greqisë në Athinë.
Fjalimin e gjatë, e nisi duke rrëfyer motivin që e kishte sjellë mes tyre.
Edi Rama: Unë nuk kam ardhur të takohem me shërbëtorët e tyre të dikurshëm, por kam ardhur të çmallem me të zotët e barabartë të kësaj shtëpie.
Me emocion përshkoi të gjithë sakrificat e shqiptarëve ndër vite në shtetin fqinj.
Edi Rama: Dolët pa dalë drita për të pritur nëpër sheshe si kuaj në pazarin e gjësë së gjallë, afendikonjtë që iu merrnin për një punë të zezë krahu. Ndërruat emrat që ju kishte vënë nëna dhe baba për të marrë dokumentat e punës dhe regjistruar fëmijët në shkollë. Ju shqiptarët e Greqisë e patë fëmijët të mbytej në lot se kishte dalë më i miri në shkollë, por nuk iu dha e drejta e ceremonisë së flamurit.
U rikthye pas në kohë, duke kujtuar operacionin fshesa të Greqisë kundër shqiptarëve, e duke bërë një paralelizëm me dëbimin e camëve.
Edi Rama: Përjetuat poshtërimin e fshesave të zeza të fundshekullit XX kur ju shkulnin nga shtëpitë me rrobat e trupit nëpër natë për t’ju deportuar në Shqipëri si në një film të ri të një kohe shumë të vjetër të shpërnguljeve me dhunë të paraardhësve tanë nga shtëpitë e tyre në veriun e Greqisë.
Por ndryshe, sipas tij ka qënë situata me minoritetin grek në Shqipëri.
Edi Rama: Asnjëherë, në asnjë rast, grekëve etnikë nuk iu është mohuar arbitrarisht nga shteti shqiptar e drejta e tyre e besimit, e drejta e tyre e gjuhës, e drejta e tyre e pronës. Kurrë, asnjëherë, në asnjë rast qytetarëve grekë të Shqipërisë nuk u është mohuar nga shteti shqiptar e drejta e votës apo e zgjedhjes për shkak të origjinës së tyre etnike.
Madje, aq miqësore ka qënë Shqipëria sipas Edi Ramës sa ka pritur edhe politikanë që protestojnë në vendin tonë e humbin zgjedhjet në Greqi.
Edi Rama: Shqipëria është kaq mikpritëse për grekët sa nuk i krijon asnjë telash, përkundrazi i krijon të gjitha kushtet edhe ndonjë politikani të keqkuptuar grek që vjen të protestojë atje, pastaj vjen humb zgjedhjet këtu. Bujrum, si në shtëpinë tuaj!
Si dy vende që kanë të lidhura fatin me njëra-tjetrën, kryeministri shqiptar përcolli një mesazh ndaj politikës në Greqi.
Edi Rama: Ne t’i zgjidhim të gjitha çështjet mes nesh, si europianë largpamës të shekullit të ri, jo të vazhdojmë t’i zvarrisim si ballkanas syleshë të shekullit të vjetër, për t’i kthyer pastaj në mollë sherri sa herë hapen tezgat e pazareve elektorale.
Një kapitull i ri sipas kryeministrit Ramamund të hapet duke zgjidhur çështjet pezull mes dy vendeve, duke filluar nga ligji i luftës.
Edi Rama: Po si ka mundësi në mes dy shtetesh që kanë nënshkruar një traktat miqësie, që janë bashkë në NATO prej 15 vjetësh, të mos jetë shfuqizuar akoma gjendja e luftës bashkë me pasojat e një ligji lufte të 84 viteve më parë?
Një hap është hedhur sa i përket marrëveshjes së pensioneve dhe lejeve të qëndrimit.
Edi Rama: Kemi arritur të çelim negociatat në nivel ekspertësh për marrëveshjen e pensioneve me Greqinë. Kemi hapur edhe dialogun dypalësh në nivel teknik për problematikën e lejeve të qëndrimit dhe procedurën e marrjes të shtetësisë me natyralizim.
Me vargjet e Naim Frashërit, Edi Rama i drejtoi një mesazh të drejtpërdrejtë homologut grek Mitsotakis, të cilin e konsideroi dhe mikun e tij.
Edi Rama: I dashur Kiriakos, Le të mos bëhemi armiq e le të mos zihemi, Mjaftojnë vuajtjet e shumta dhe tiranitë që kemi kaluar. Eshtë koha e mirëqenies, është koha e lirisë”. Shumë të fala, nga unë dhe shqiptarët e Greqisë.
Për Edi Ramën, ky ishte takimi më i bukur i bërë në Athinë. Për këtë arsye e shfrytëzoi edhe si një moment reflektimi.
Edi Rama: Gabime unë mund të kem bërë plot deri këtu, në këto 10 vjet. Ju kërkoj ndjesë për çdo gabim që ju mendoni se kam bërë, por kurrë, në asnjë rast nuk i kam tradhtuar ata që ma kanë besuar qoftë dhe njëherë me votën e tyre këtë nder të jashtëzakonshëm.
Fjalimin reth dy orë, i shoqëruar me brohorimat e mijëra shqiptarëve të pranishëm, Edi Rama e mbylli i prekur, teksa e para që i dhuroi një përqafim ishte bashkëshortja e tij Linda Rama.
Ndërsa mirënjohjen ndaj shqiptarëve, që nuk ia kursyen dashamirësinë, Edi Rama e shprehu duke iu përulur në gjunjë.
SUBSCRIBE to "RTV KLAN" on YouTube for more videos!
Për më shumë informacione vizitoni faqen tonë web [ Ссылка ]
Follow Klan News on Facebook: [ Ссылка ]
Follow @klannews on Instagram: [ Ссылка ]
#KlanNews #KlanNewsLajme #TvKlan
Ещё видео!