Nga Brukseli ku mori sinjale pozitive për hapjen e negociatave, Kryeministri Edi Rama ka kritikuar opozitën në lidhje me mungesën e angazhimit të saj në procesin e integrimit të Shqipërisë. Pas takimit me shefen e diplomacisë, Federika Mogherini, me Komisionerin Hahn dhe grupin “Miqtë e Shqipërisë”, kreu i qeverisë i kujtoi opozitës marrëveshjen që ai kishte bërë natën e 17 Majit me Lulzim Bashën, që dy partitë e mëdha të ishin sëbashku në këtë çështje.
"Do të kishte qenë vërtetë e mrekullueshme që të ishim këtu sëbashku me kryetarin e opozitës sikundër e patëm biseduar në mbrëmjen e gjatë të 17 Majit, por për fat të keq kjo nuk ka ndodhur dhe do të na duhet që boshllëkun e madh që ka krijuar opozita dhe posaçërisht PD në këtë proces, ta mbushim me forcat tona. Nuk dua të bëj komente për opozitën. Opozita zgjedh dhe vendos atë që sheh më të arsyeshme. Populli sheh dhe gjykon, përfshirë dhe votuesit e opozitës, por dua të them që mungesa e opozitës në këtë proces apo disa deklarata të llojit “më ka çuar nana me la gojën”, janë vërtetë për të ardhur keq".
Kryeministri përsëriti se Shqipëria nuk po kërkon favore për hapjen e negociatave, por vetëm vlerësim në bazë të meritës.
"Nuk po kërkojmë një favor, nuk po kërkojmë një dhuratë, nuk po kërkojmë një shprehje tjetër, përveçse afirmimit të asaj që meritojmë, hapjen e negociatave. Shpresojmë dhe besojmë që Komisioni të jetë i drejtë me Shqipërinë dhe të bëj një rekomandim të qartë dhe pastaj sigurisht mbetet beteja diplomatike për të bindur çdo vend anëtar dhe për të bërë çmos që problematika të ndryshme, brenda vendeve të mos kthehen në një arsye që të penalizohet Shqipëria. Tanimë janë rezultatet që kanë filluar të flasin për reformën në drejtësi. 17 pesha të rënda të sistemit janë tërhequr vetë, nuk kanë shkuar në procesin e Vetting-ut. Dëgjesat, në dijeninë time fillojnë këtë javë dhe të tjerë do të përballen me procesin e Vettingut. Pra pastrimi i sistemit ka nisur".
Një ditë më parë, shefja e Politikës së Jashtme, Mogherini, kërkoi që Komisioni Europian të japë rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave, në progres–raportin e 17 Prillit. Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe Komisioneri Hahn dhe kryeministri belg Charls Mishel gjatë takimit me Kryeministrin Rama.
Ещё видео!