Momente tensioni shoqëruan kthimin në mësim të studenteve të Drejtësisë në Tiranë. Ndërsa të rinjtë nisën të hynin në mjediset e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, një grup studentësh pro bojkotit në përpjekje për të ndaluar nisjen e leksioneve dhe seminareve mbyllën derën me zinxhirë.
Nuk zgjati shumë dhe normaliteti u rikthye nga punonjësit e gjimnazit pa pasur nevojë për ndërhyrjen e policisë, e cila mbërriti para shkollës.
Auditoret e Fakultetit të Drejtësisë për një kohë të pacaktuar do t’i zëvendësojnë 38 klasat e shkollës së mesme.
“Shpresoj që kjo situatë të rregullohet sa më shpejt. Nuk mund të humbasim vitin duke bojkotuar, përderisa shumica janë në mësim”.
Nga ora 14:00 deri në mbrëmje edhe përgjatë fundjavës studentët do të marrin leksionet e humbura sipas një orari të riorganizuar. Dekani i Fakultetit të Drejtësisë thotë se kjo ishte një zgjidhje e detyruar, ndërkohë që mjediset universitare mbahen të bllokuara nga një grup studentësh.
“Nuk është në nivelin që duam, por ju shikoni numrin e madh të studentëve janë dhe shumë të tjerë që ishin në fakultet që tregojnë interes për të vazhduar programin. Ne kemi mirëkuptimin e studentëve për ndonjë vështirësi”.
Megjithëkëtë pedagogët thonë se janë marrë te gjitha masat për mbarëvajtjen e procesit mësimor.
“Është e drejta e tyre të bojkotojnë dhe e drejtë e të tjerëve për të zhvilluar mësim. Ne kemi detyrim ligjor që të paraqitemi për të gjithë ata që duan mësim”.
Ndërkohë mjediset e fakultetit të Drejtësisë i janë lënë studentëve të ngujuar. Këtë forme proteste ky grup studentësh thotë se do ta vijoje deri më 1 shkurt, datë kur pritet dhe reagimi i pedagogëve. Më pas do të vendosin për hapin e radhës.
“Mundësia e parë është greva e urisë, e cila është trumbetuar shumë. Është dhe një ide e dytë që është shumë ekstreme, por që ato studentë që kanë vendosur të vënë gjithçka në rrezik dhe kokën e tyre për qëllimet përfundimtare”.
Studentët pro bojkotit të mësimit kërkojnë anulimin e ligjit për arsimin e lartë me qëllim që ti rikthejnë normalitetin jetës universitare. Ndërkohë që për të zgjidhur situatën ligji detyron Rektorin e Universitetit të Tiranës Mynyr Koni, por ky i fundit ende nuk ka marrë një vendim për të zgjidhur kaosin e krijuar tek Drejtësia. /abcnews.al
Ещё видео!