Situatë e tensionuar në KZAZ nr.27, në Bashkinë e Kamzës, ku mbështetësit e opozitës tentuan të hapin me forcë derën kryesore të shkollës "Ibrahim Rugova". U raportua për dy persona të lënduar, ndërsa qytetarët u ftuan të protestojnë sërish të enjten, për të kërkuar zbatimin e dekretit të presidentit Meta, që ka anuluar 30 Qershorin, datën e zgjedhjeve vendore.
Këto janë pamjet e para të tentativës së protestuesve të qytetit të Kamzës, e cila drejtohet prej disa mandatesh nga Xhelal Mziu. Dy efektivë të policisë bashkiake, mbetën të lënduar, ndërsa për të qetësuar situatën u hodhën edhe spraj nga uniformat blu. Këta ta fundit u mbështetën edhe nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.
Në ambientet e palestrës së institucionit ndodhen materialet zgjedhore për KZAZ, nr.27, të cilat nuk u dëmtuan ashtu si në qytetet, e Shkodrës, Burrelit dhe Kukës.
Artan Dervishi, zëdhënës për mediat në Bashkinë Kamëz: Nuk ka një dhunë nga ana e qytetarëve, por ka autoritete që kanë biseduar me punënjësit me strukturat e larta të policisë ku jemi këtu, të cilët në mënyrë arbitrare jo vetëm që nuk kanë dhënë sqarim, jo vetëm që nuk kanë zgjedhur dokumente zgjedhorë për të zbatuar urdhrin, por për më tepër kanë krijuar një precedent në lidhje me të cilën kemi të drejtën për të vazhduar. Nëse policia nuk tërhiqet ne jemi të vendosur që të vazhdojmë protestën tonë dhe zgjedhje me 30 Qershor nuk do të ketë.
Situata u qetësua pas gati 1 orë e 30 minuta tension. Ndërkohë policia pritet pas këqyrjes së pamjeve filmike të bëjë shoqërimet dhe ndalimet e protestuesve që tentuan të hyjnë me forcë në KZAZ-në 27.
Të enjten në orën 10 u njoftua për qytetarët e Kamzës të mbështesin policinë bashkiake në tentativën e tyre për të liruar ambientet shkollës së mesme “Ibrahim Rugova”.
Ещё видео!