Edi Rama e vlerëson si frustrues dhe të padrejtë sjelljen që vendet e unionit kanë karshi vendeve aspirante për tu bërë pjesë e kësaj familje.
Në konferencën që mblodhi 6 ministra të drejtësisë së Ballkanit perëndimor në ministerialin “Gjithçka mbi drejtësinë”, kryeministri foli me doza ironie dhe pakënaqësie për kushtet e njëpasnjëshme që i janë vendosur Shqipërisë e që pasi plotësohen, sipas tij, dera e pranimit nuk hapet, por shtohen kushte të tjera.
“Fati i të gjithëve ne në këtë anë të botës është që ne jemi këtu që luajmë dhe ju na shikoni sesi luajmë, shtrëngoni duart me ne, e pastaj në fund thoni mirë, çuna të mirë e goca të mira, po jo tamam. Është frustruese, sepse ne na thuhet gjithnjë që ju duam dhe që një ditë do jemi bashkë, por që duhet të vazhdoni të përmirësoheni e të përmirësoheni. Vjet, përshembull, na thanë që keni bërë një punë fantastike, por keni ende diçka për të bërë. Vettingu u bë revolucioni ynë francez me gijotinën.
Tani problem është që nuk kemi Gjykatë Kushtetuese. Janë të njëjtët persona që thonë që keni tre kushte, pastaj i bëjnë 5 ato, e pastaj 9 dhe 99 për të njëjtën gjë. Ku është këtu, shpërblimi për atë që kemi bërë? Çfarë është? Është puna, është që të në na bëjnë për budallenj?”
Për sa i përket reformës në drejtësi, kryeministri tha se Shqipëria është e vendosur ta çojë atë përpara.
“Gjithçka ka të bëjë me drejtësinë dhe kjo na bën ne të jemi të angazhuar për këtë dashuri të vështirë që kemi me BE-në, se puna nuk është që duhet të kënaqim Parisin, Hagën, etj, por kjo ka të bëjë me shndërrimin e vendit tonë. Me faktin që duhet të bëhemi demokraci funksionale dhe shtete funksionale me një sistem të besueshëm dhe të paanshëm drejtësie.”
Ambasadori Soreca si përfaqësues i BE e sheh të ardhmen me optimiste se kryeministri, i vlerëson hapat e hedhura me reformën në drejtësi të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër. Reformë që për të është vendimtare për çeljen e negociatave.
“Pritshmëria është e lartë që të kemi Gjykatë të Lartë dhe Kushtetuese funksionale. Qytetarët mezi presin krijimin e BHK dhe SPAK. Jemi dy javë larg nga vendimi për të ardhmen në Shqipëri. Pa reformën në drejtësi Shqipëria do duhej të kishte pritur vite për të ardhur në këtë ditë. Reforma ka hedhur themele shumë të rëndësishme të paanshmërisë, llogaridhënies, etj. Shqipëria është e gatshme të lëvizë në një stad tjetër. Çelja e negociatave do të ndryshojë gjithçka për Shqipërinë”.
Pavarësisht vendimit të 18 Tetorit, Rama e bën të qartë se arsyet përse vendet e Ballkanit e kërkojnë me ngulm futjen në BE është për të ndërtuar institucione me të forta.
Ещё видео!