#reportTV #lajmeshqip #lajme
Ministri i ri i Brendshëm, Bledi Çuçi pas dy ditësh i emëruar në detyrë, ka shkuar për vizitë në shtëpinë e familjes Rasha, për ngushëllim lidhur me vrasjen e 25 vjeçarit Klodjan Rasha nga efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj, më datë 8 dhjetor në një rrugicë afër lagjes së tij. Gazetari i Report Tv Arsen Rusta, raporton se vizita ka zgjatur vetëm 10 minuta.
Çuçi ka qenë i shoqëruar nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj dhe kreu i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, Muhamet Rrumbullaku, ndërsa vihet re mungesa e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Ardi Veliu. Para dy ditësh Çuçi është prezantuar ministri i ri i Brendshëm, i cili vjen në këtë post pas dorëheqjes së Sandër Lleshajt për shkak të vrasjes së të riut. Edhe pse Lleshaj dha dorëheqjen pas kësaj ngjarjeje, të gjithë vendin e përfshiu një valë protestash të dhunshme që zgjatën 6 ditë.
Më herët për ngushëllim në shtëpinë e të ndjerit ka qenë kryeministri Edi Rama, Sandër Lleshaj, kreu i bashkisë Tiranë Erion Veliaj, kreu i PD Lulzim Basha dhe disa politikanë të tjerë.
Klodjan Rasha, në orët e mëngjesit të 8 dhjetorit, është qëlluar nga një distancë prej 5 metrash largësi nga punonjësi i policisë, Nevaldo Hajdaraj. Pamjet filmike kryesore të sekuestruara nga prokuroria e Tiranës, e tregojnë qartë veprimin e policit të “Shqiponjave”, ku para kamerës së një servisi në Laprakë, duket se është pozicionuar për të qëlluar me armën e shërbimit në drejtim të personit që ai po ndiqte.
Në filmim, sipas grupit të hetimit, dallohet se viktima është duke u larguar me vrap. Ndërkohë nga një distancë shumë e afërt prej 5 metrash, polici i pozicionuar i shtrirë në trotuar ka hapur dy herë zjarr. Momenti i rrëzimit në tokë të Klodjan Rashës, duket qartë thonë prokurorët dhe se kjo video, shërbeu që ndaj Hajdaraj, të ndryshohet akuza nga “Vrasja në kushtet e kapërcimit të mbrojtjes së nevojshme” në “Vrasja me dashje".
Ещё видео!