Kryeministri Edi Rama nuk e komentoi largimin e Saimir Tahirit nga parlamenti. Por akuzave të opozitës se nuk ka integrim pa ish-Ministrin e Brendshëm në burg, iu përgjigj teksa opozita la sallën, duke ritheksuar se rekomandimi për negociatat nuk ka asnjë kusht, e Tahiri nuk është vendosur si kusht as nga Gjermania.
“Në komisionet e Bundestagut në gjermanisht unë dëgjova ato që kam dëgjuar këtu shqip katër vite. Një vend anëtar i peshës së Gjermanisë, nuk mund të jetë një burim budallallëqesh sikur është kjo opozitë e përfaqësuar sot. Për një parlamentar, grup parlamentar në Gjermani dhe në Europë të arrijë në atë nivel kuptimi që duhet të ketë një i huaj, kur ndeshet me baltën e eksportuar nga Tirana. Është shumë e vështirë të arrijë, duke qenë edhe një grup miqsh të këtyre, në atë nivel kuptimi që të besojnë se këta janë baba e rrenës dhe nona e shpifjes.”
Deklaratat e Tahirit nuk i komentoi as Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i cili u vu në shënjestër të akuzave nga paraardhësi i tij. Por tha se u qëndron komenteve të tij për policinë.
“Nuk kam asnjë koment, nuk i heq asnjë presje atyre që kam thënë më parë.”
Në emër të grupit kuvendor të socialistëve, Taulant Balla e cilësoi një vendim personal lënin e mandatit nga ana e Saimir Tahirit, duke u distancuar nga ky debat.
“Vendim tërësisht personal i Saimir Tahirit që e respektojmë tërësisht dhe dua të ripërsëris atë që kemi thënë këtu e 6 muaj më parë, që kjo është një çështje tërësisht mes Saimir Tahirit dhe drejtësisë.”
Ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri nuk ishte pjesë e grupit parlamentar të Partisë Socialiste që prej 23 Tetorit të vitit 2017, pak kohë pasi parlamenti refuzoi kërkesën e prokurorisë për të autorizuar arrestimin për “trafik i lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “korrupsion i zyrtarëve të lartë”.
Ещё видео!