Vetëm pak orë përpara mbërritjes në Tiranë të dy negociatorëve europianë, David McAllister dhe Knut Fleckenstein, Lulzim Basha foli për një shans në favor të zgjidhjes së krizës politike.
“Sot kemi shansin ta zgjidhim me dialog. Basha në këtë dialog nuk përfaqëson veten e tij as PD, por shkoj me vetëdijen e plotë se përfaqësoj interesat e bashkimit më të madh popullor. E kam shumë të thjeshtë të gjej gjuhën e kompromisit politik për gjithçka më takon mua dhe PD, por nuk bëj asnjë dorëheqje për gjithçka u takon fateve të zgjedhjeve të lira.”
Kryeministrit i dërgoi mesazhin se është i gatshëm për arritjen e një kompromisi përmes dialogut, me kushtin e panegociueshëm se nuk do të ketë asnjë tërheqje nga kauza e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
“Zgjidhja që ofrojmë është zgjidhje e ndershme, nuk po i kërkojmë pushtet në tavolinë, nuk po i kërkojmë të shporret, edhe pse i takon, por i kërkojmë t’i japë mundësi shqiptarëve të votojnë.”
Basha foli me tone optimiste përpara mbështetësve.
“Fundi nuk do të jetë votim pa opozitën, fundi nuk do të jetë shpërndarja e popullit, fundi do të jetë fitorja e kauzës tonë të drejtë. Të shpresojmë se rruga e dialogut të na çojë drejt një bashkimi kombëtar. Me këtë bashkim popullor fitorja që po vjen do i hapë rrugën një republike të re.”
Nga ana tjetër, Basha akuzoi qeverinë se mbështet trafikun e drogës dhe i kërkoi policisë të bëjë publike procesverbalet e asgjësimit të kanabisit, duke thënë se ajo nuk është shkatërruar, por është magazinuar nëpër tunele e magazina të ushtrisë, me qëllim që të trafikohet.
Tv Klan
Ещё видео!