Ravik Gurra, një avokat i njohur, u ekzekutua mbrëmjen e së premtes në një lokal në qendër të qytetit të Elbasanit. Ai u qëllua me tre plumba pas koke me armë silenciator nga një person i maskuar, i cili u largua nga vendngjarja me një mjet tip “Benz”. Më pas makina u braktis në dalje të qytetit. Viktima ishte mbrojtësi ligjor i Emiliano Shullazit dhe grupeve të njohura për policinë, jo vetëm në Elbasan.
Avokati i njohur ishte ulur në ambientet e jashtme të një lokali në qendër të qytetit të Elbasanit, kur u ekzekutua për vdekje me armë silenciator. Një person i maskuar u afrua në këmbë drejt tavolinës, ku po pinte kafe Ravik Gurra sëbashku me kolegun e tij. Autori e qëlloi me tre plumba pas koke. 50-vjeçari mbeti i vdekur në vend.
Ndërsa atentatori u largua në këmbë me shpejtësi në mes të turmës dhe më pas është ndihmuar për t’u larguar nga një mjet tip “Benz”, e cila drejtohej nga një bashkëpunëtor i tij.
Makina, e cila dyshohet se është përdorur nga autorët, është gjetur e djegur pak minuta pas ngjarjes në afërsi të fshatit Bradashesh, në dalje të qytetit të Elbasanit.
Dyshohet se me ndihmën e një automjeti të dytë, autorët kanë humbur gjurmët. Shërbimet e Policisë ngritën pika kontrolli në të gjitha rrugët në hyrje e dalje si dhe bënë krehjen e zonës. Një grup ekspertësh nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policisë e Shtetit po ndihmojnë grupin hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes.
Në Elbasan mbërritën edhe forcat RENEA, të cilat ushtruan kontrolle në disa lagje dhe banesa dhe njëkohësisht në rrugët e qytetit. Grup hetimor administroi provat në vendin e ngjarjes dhe sekuestroi pamjet filmike të kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi krimi.
Ende nuk ka një deklarim zyrtar lidhur me motivet e kësaj vrasje. Pista kryesore e hetimit është ajo për shkak të detyrës. Ravik Gurra konsiderohet si njëri prej avokatëve të njohur në vend. Ai ishte njëri prej mbrojtësve ligjor të Emiljano Shullazit dhe i disa grupeve të tjera në vend, përfshirë edhe grupe në Elbasan.
Sëfundmi Gurra kishte marrë përsipër që të ishte dhe avokati i njërit prej tre oficerëve të Policisë së Vlorës të shpallur në kërkim për favorizim trafikimi lëndësh narkotike. /abcnews.al
Ещё видео!