Pak minuta më parë Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj është takuar me përfaqësues të banorëve të Unazës së Re. Ai u ka kërkuar që të lënë banesat me qëllim që projekti të zbatohet me përpikmëri në funksion të të gjithë qytetarëve. Nga ana e tij kryebashkiaku Veliaj i siguroi se të gjithë ata që nuk janë të pajisur me certifikata pronësie do t'u ofrohen banesa sociale dhe bonus qiraje tre vjet e ndoshta më shumë, gjë që është duke u rishikuar nga Bashkia Tiranë. Ndërsa ata banorëve që banesat i kanë të regjistruara i premtoi se përveç shpronësimit do t’u sigurohet edhe leje ndërtimi, nëse ata kanë tokë tjetër për të ndërtuar.
“Këtu asnjë nuk do që të ketë të humbur dhe besoj që ekziston i gjithë mirëkuptimi, dashamirësia që të mos humbasë askush. Kur flas të mos humbasë askush dua t’i ndaj këto kategori. Kush është hallexhi, kush është pa lekë, kush është pa legalizim, si rasti i 2 familjeve që lëvizën mbrëmë, e pashë familjen e parë, do shkoj ta takoj prapë, kishin bo shtëpi me kushtet, me një jetë shumë të vështirë te kanali i ujërave të zeza. Brenda në shtëpinë që u prish mbrëmë, te dy të parat, ishte puseta e ujërave të zeza. Kishin vënë qilimin sipër, tavolinën sipër qilimit dhe jetonin mbi kapakun e ujërave të zeza. Sot janë te banesat sociale, por prapë më mirë që u prish ajo gjëja pa leje mbi kolektor dhe sot kanë një shtëpi të cilën mund ta mbajnë pafundësisht. Ka një kategori të dytë që ka të bëjë me çështjen e shpronësimit dhe në pjesën më të madhe na rezulton që përveçse përfitojnë nga shpronësimi kanë edhe pjesë toke mbrapa. Kush ka tokë tjetër mbrapa të vetën, që nuk e prek fare gjurma, të vijë që nesër të aplikojë për ndërtim në bashki, koeficientet janë publikë, nuk është një gjë që po e bëjmë sot me presion. Futuni te Tirana.al dhe shikoni që aty është, ka një vit koeficienti. Ama nëse shpronësohesh do ta ketë te shpronësimi, nëse nuk shpronësohesh i gjithë territori që preket nga gjurma që është tokë jotja të quhet koeficient te ndërtimi që do të bësh vetë. Ka edhe një kategori tjetër që është një kategori që me thënë të drejtën unë nuk e ndihmoj dot, që është kategoria e politikanëve. Kategoria e atyre që duan të kandidojnë në listat e ardhshme, kategoria e atyre që nuk janë fare banorë aty, por që vijnë me autobusë për to. Janë një kategori që nuk i ndihmojë dot, ata kanë nevojë për ndihmë sociale, për këshillim, ata kanë nevojë për dashuri nga shoqëria, por këta s’janë banorë, dhe vijnë aty për sport, siç vijnë tek lodrat, siç vijnë tek teatri”, tha Veliaj.
/abcnews.al
Ещё видео!