Konferencën e jashtëzakonshme për shtyp, Presidenti Ilir Meta e nisi me 90 minuta vonesë dhe me një dolli me ujë për Gjykatën Kushtetuese.
“Gëzuar për fillimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese!”
E më pas paralajmëroi kallëzim penal për Kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardjan Dvorani, të cilin e akuzoi se kishte kryer një akt mafioz duke shkaktuar një gjendje antikushtetuese në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
“Ju bëj të ditur vendimin tim si President i Republikës dhe kryetar i shtetit për të paraqitur të hënën kallëzim penal kundër zotit Ardian Dvorani, kryetar i KED me adresë Gjykata e Lartë Tiranë. Unë Presidenti i Republikës dhe Kryetari i Shtetit e akuzoj Ardian Dvoranin për këto vepra penale. 1-Shpërdorimit të detyrës. 2. Përvetësim i titullit apo detyrës shtetërore.”
Prokurorisë i kërkoi të hetojë të gjithë personat e përfshirë, ndërsa kreut të KED-së i kujtoi penalitetet ligjore për shkeljet e kryera. Në mungesë të hetimit nga ana e prokurorisë kreu i shtetit paralajmëroi se do të kërkonte ndëshkim ndërkombëtar.
Për herë të parë Presidenti Meta sqaroi publikisht edhe arsyen e dekretimit të Marsida Xhaferllarit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese dhe refuzimin e zonjës Arta Vorpsi.
“Për Xhaferllarin dy gjëra do t’i them sinqerisht. Unë kam preferuar zonjën Xhaferllari për një arsye të thjeshtë se kam qenë i bindur në integritetin e saj dhe e ka treguar integritetin e saj. Për zonjën Vorpsi kam patur një vërejtje, ose një rezervë sepse ka qenë anëtare e Grupit të Ekspertëve të Lartë të Reformës në Drejtësi, për Gjykatën Kushtetuese. Kur jemi marrë me çështjen e ligjeve, është deklaruar që këta ekspertë, për të evituar konflikt interesi, nuk do të merren në konsideratë, kur të ndërtohen këto institucione”.
Tre ishin rrugët, që sipas Presidentit Meta i kishin mbetur shqiptarëve, në kushtet kur sipas tij, drejtësia u kap nga Kryeministri Rama.
“Ose njerëzit të marrin armët që është dënueshme dhe papranueshme, ose të bëhen skllevër një partiak që e kanë provuar 40 vjet, ose të ikin të gjithë jashtë nga Shqipëria.”
Popullit iu referua edhe paradite në një deklaratë të ashpër. Edhe të enjten në emisionin “Opinion”, Presidenti u tregua i ashpër me kreun e KED-së, duke lëshuar akuza të forta ndaj tij.
Tv Klan
Ещё видео!