Kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla, ka pritur në një takim homologun e saj nga Kosova, Glauk Konjufca. Nikolla vlerësoi bashkëpunimin mes dy kuvendeve.
“Bashkë me kryetarin Konjufca ramë dakord që bashkëpunimet, vizitat, tryezat e përbashkëta të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Ky bashkëpunim prej ditës së sotme do të mbështetet edhe në memorandumin e bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kosovës që së bashku me kryetarin nënshkruam. Qëllimi i këtij memorandumi është krijimi i një kuadri të përbashkët për bashkëpunim dhe mbështetje midis Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës për rritjen e cilësisë së aktivitetit parlamentar në përputhje me praktikat më të mira europiane, vënien në zbatim të marrëveshjeve të arritura në takimet midis dy qeverive, forcimin e bashkëpunimit mes dy Kuvendeve për çështjet e integrimit në BE dhe bashkëpunimin me NATO, përfaqësimin në organizatat ndërkombëtare dhe çështje të tjera me interes të përbashkët mes dy Kuvendeve tona”, u shpreh Nikolla.
Konjufca falenderoi Nikollën për pritjen e ngrohtë dhe për kontributin e saj për popullin e Kosovës. Ai u shpreh po ashtu se qytetarët e Kosovës e meritojnë që në fund të këtij viti të mos kenë regjim vizash me Europën. Sipas Konjufcës, Shqipëria dhe Kosova pavarësisht se janë dy shtete, kanë një interes të përbashkët. Ai theksoi ndër të tjera se Serbia është shumë armiqësore ndaj Kosovës.
“Kontributi e ndihma juaj janë me të vërtetë për t’u vlerësuar dhe çmuar, meqenëse në çdo rast që ju jepet juve, edhe në takime të niveleve të rëndësishme ndërkombëtare e ngrini vazhdimisht çështjen e Kosovës, e mbroni atë që është interes edhe i popullit tonë duke i qëndruar gjithmonë afër popullit të Kosovës dhe interesave tona. Edhe sa i përket domosdoshmërisë së njohjeve të reja për Republikën e Kosovës, edhe sa i përket të gjithave iniciativave të Republikës së Kosovës për anëtarësim në institucione të rëndësishme ndërkombëtare e europiane....
Vërtetë jo vetëm Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, por të gjitha institucionet pa dallim të shtetit shqiptar i kanë qëndruar pranë popullit të Kosovës sepse ne jemi dy shtete, ne jemi dy vende, por po aq saktë e dimë që jemi popull me një interes të përbashkët. Edhe zyrtarët politikë e përfaqësues shtetërore të Republikës së Kosovës, por edhe ata të Republikës së Shqipërisë vazhdimisht kanë vepruar me këtë vetëdije kombëtare, pra duke i artikuluar vazhdimisht dhe duke i mbrojtur ty ku është nevoja interesat tona të përbashkëta të kombit shqiptar.
Republika e Kosovës e ka një proces të vështirë përpara që është relacioni me shtetin serb. Serbia e Aleksandër Vuçiç mund të themi që nuk ka ndryshuar drejtim politik, por vetëm i ka ndryshuar mjetet prej kohës së Millosheviçit. Serbia duhet ta dijë çdo shqiptar që është shumë armiqësore ndaj Republikës së Kosovës dhe këtë nuk e kemi zgjedhur ne. Këtë e ka zgjedhur elita udhëheqëse politike shtetërore serbe e cila e mohon pavarësinë e Kosovës, e cila e lufton pavarësinë e Kosovës me çdo mjet që ka në dorë, dhe në këto muaj ku po bëheshin përpjekje nga qeveria jonë për realizimin e marrëveshjes së letërnjoftimeve dhe të targave e patë si presidenti i Serbisë Vuçiç nuk heziton fare edhe për ta sfiduar kornizën e sigurisë në Ballkan dhe Europë përmes kërcënimit të Kosovës dhe dërgimit të trupave të armatosura të kontrolluara prej Serbisë brenda territorit të Republikës së Kosovës”, u shpreh Konjufca./tvklan.al
#GlaukKonjufca #LinditaNikolla
SUBSCRIBE to "RTV KLAN" on YouTube for more videos!
Për më shumë informacione vizitoni faqen tonë web [ Ссылка ]
Follow Klan News on Facebook: [ Ссылка ]
Follow @klannews on Instagram: [ Ссылка ]
#KlanNews #KlanNewsLajme #TvKlan
Ещё видео!