Dy prej gardianëve të burgut të Nigritas që kanë ushtruar torturat më të rënda mbi Ilia Karelin, duke i shkaktuar edhe vdekjen, janë ish-komando të ushtrisë greke. Media greke i ka identifikuar me inicialet R.X dhe Ch. K.
Madje njëri prej tyre ka shkaktuar dhe frakturën në kraharorin e të burgosurit që mendohet se i ka shkaktuar vdekjen.
TV Alpha ka publikuar fotot nga qelia e dhunës, ndërsa nga dëshmitë mësohet se funksionarët e burgut pasi kishin marrë Ilia Karelin, fillimisht kishin nisur ta shanin, e mallkonin më pas e kanë vijuar ta godasin. Torturat kanë zgjatur dy orë.
Gjatë torturës gardianët i kanë hedhur edhe kova me ujë të ftohtë me qëllim që torturat të ishin më të dhimbshme.
Ndërkohë sot do të dalin para gjykatës së Serres disa prej 15 gardianëve të akuzuar për vdekjen e Ilia Karelit. Ndaj tyre rëndon akuza e torturës me pasojë vdekjen dhe shpërdorim detyre.
Më 25 mars 2014 Ilia Kareli vrau një gardian në burgun e Malandrinos dhe më pas u transportua në burgun e Nigritas ku dhe u torturua deri në vdekje.
Ещё видео!