Prej më shumë se një jave studentët e universiteteve publike në vend kanë bojkotuar auditoret dhe kërkojnë të plotësohen 8 kërkesat e tyre që ia kanë dërguar Ministrisë së Arsimit. Ndërkohë, protesta e kësaj të enjteje u zhvendos përpara parlamentit të Shqipërisë. Studentët nisën marshimin nga fakultetet përkatëse dhe po protestojnë para Kuvendit, i cili u mblodh në seancën e zakonshme plenare të së enjtes.
Ata kërkojnë përgjysmim tarifash, kushte më të mira në konvikte, biblioteka me kushte europiane, me libër universitar online dhe falas për studentët; rishikim të teksteve mësimor; verifikim të doktoraturave dhe plagjaturave; Vetting të pedagogëve; rritjen e buxhetit të arsimit me 5% të PBB-së; transparencë në buxhetin e Ministrisë së Arsimit; të shtohet përfaqësi e studentëve në Bordet e Administrimit të Universiteteve si dhe pajisja me kartë studenti brenda vitit akademik 2018-2019. Studentët kanë shtuar edhe një kërkesë e cila është anulimi i ligjit për arsimin e lartë.
Studentët protestuan deri të martën përpara Ministrisë së Arsimit. Atë ditë në orën 16:00 mbaroi dhe afati që i kishin lënë qeverisë për plotësimin e kërkesave ose do të përshkallëzonin protestën. Ditën e mërkurë, studentët u ndanë në dy grupe. Njëri protestonte para Ministrisë së Arsimit, ndërsa një grup tjetër vazhdoi që qëndronte para kryeministrisë.
Ndërkohë kryeministri Rama pothuajse në çdo dalje të tij në lidhje me këtë çështje ka bërë thirrje për dialog me studentët. Këta të fundit vazhdojnë të refuzojnë. Ata nuk kërkojnë negociata pasi nuk kanë një përfaqësi dhe mendojnë se çdo grup i vogël është i manipulueshëm nga pushteti./abcnews.al
Ещё видео!