TIRANE- Në përgjigje të protestës së sotme të shoferëve të furgonëve 8+1 në kryeqytet, ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto ka paraqitur tre zgjidhjet e mundshme që udhëzon ligji. Në një konferencë për shtyp, ministri Haxhinasto ka vënë theksin në rëndësinë e zbatimit të ligjit, duke shprehur edhe angazhimin e qeverisë në këtë drejtim. Sipas ministrit Haxhinasto, tre janë rrugët që shoferët e furgonëve 8+1 mund të ndjekin duke zbatuar ligjin.
Një mundësi është që pronarët e taksive 8+1 të ushtrojnë aktivitetin sipas licencës, duke vendosur taksimetër, dhe duke marrë në kthim vetëm pasagjerët që kanë transportuar në rrugën e vajtjes.
Varianti i dytë u jep atyre mundësinë që të mos shërbejnë si taksi, por të aplikojnë për licencë transporti ndërurban, duke zbatuar kriteret që përcakton ligji.
Dhe si mundësi e tretë, mund të ofrojnë shërbimin e transportit brenda qarkut.
"Do të zbatojmë ligjin. Taksitë do të jenë taksi. Autobusët do të jenë autobusë.
Nëse pronarët e taksive 8+1 duan të vazhdojnë të ushtrojnë aktivitetin sipas licencës që kanë, atëherë duhet të vendosin taksimetër ashtu siç e kërkon ligji, të mos ndalojnë vend e pavend që të mbushen me pasagjerë rrugës, të marrin në kthim vetëm ata pasagjerë që kanë transportuar në rrugën e vajtjes, siç e kërkon ligji.
Nëse nuk duan të shërbejnë si taksi, atëherë të aplikojnë për licencë transporti ndërurban dhe të plotësojnë kushtet teknike që kërkon ligji, të nisen në vende të paracaktuara, me stacione të paracaktuara, sipas orareve të paracaktuara, me mjete me kushte të parashikuara nga ligji.
Por kjo situatë ku nga njëra anë këta persona duan të kenë edhe avantazhet e të qenurit taksi, dhe ato të transportit nderurban, nuk mund të vazhdojë.
Qeveria i ka dhënë edhe një rrugëzgjidhje pronarëve të taksive 8+1 : Të ofrojnë shërbimin e transportit brenda qarkut. Kjo rrugëzgjidhje u është paraqitur disa herë shoqatave të taksive dhe sindikatës së tyre", tha ministri i Transportit.
Sipas ministrit Haxhinasto, mundësia e tretë e gjetjes së rrugëzgjidhjes i lejon shoferët e taksive 8+1 të punojnë deri në rrezikimin përfundimtar të shërbimit të transportit publik në vend.
Ndërkaq, ministri Haxhinasto e cilësoi protestën e drejtuesve të furgonave 8+1 si jo të drejtë, si dhe iu drejtua me një mesazh edhe deputeteve të opozitës që kanë mbështetur këtë protestë.
"Deputetet, si të zgjedhurit e popullit për të qenë ligjvënës, janë të parët që duhet të zbatojnë ligjin. Nëse ata mendojnë se ligji është i padrejtë, të paraqesin amendimet përkatëse në Parlament.
Deputetet e opozitës nuk mund të zgjedhin të bëjnë politike, për interesat e tyre të ngushta, edhe duke mbështetur paligjshmërinë. Por nxitja e paligjshmërisë dhe promovimi i shkeljes së ligjit është e papranueshme në demokraci.
Pronarët dhe drejtuesit e taksive 8+1 duhet ta kuptojnë se deputetët e opozitës nuk janë aty për asnjë arsye tjetër, përveç se për të politizuar dhe përdorur protestën e tyre, që fatkeqësisht, në këtë rast, është e padrejtë", u shpreh ministri Haxhinasto.
Ministria e Transporteve pretendon se Qeveria e ka dhënë zgjidhjen për këtë transport dhe kjo u është bërë e ditur edhe për përfaqësuesit e sindikatave.
Ещё видео!