3 vjet nga miratimi i Reformës në Drejtësi, Presidenti i Republikës Ilir Meta thotë se nëse do të kishte qenë e suksesshme, sot vendi nuk do të ishte pa një Gjykatë Kushtetuese.
“Unë i jam shmangur kësaj çështjeje publikisht, pavarësisht se me partnerët ndërkombëtarë kam folur hapur prej kohësh, sepse po bëhen 3 vite nga miratimi me konsensus i Reformës në Drejtësi, në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe mund t’ju them, nuk do të them a është sukses apo është dështim, por mund t’ju them që nëse do të ishte vërtetë një sukses, Shqipëria asnjë minutë nuk do të ishte pa Gjykatë Kushtetuese. Reforma nuk bëhet me retorikë, jo me presion, bëhet me standarde. Nëse reforma bëhet me emra atëherë asnjëherë nuk ka një reformë të qëndrueshme, por ka forma të reja për kapjen e institucioneve”.
Presidenti u ndal në veçanti tek Gjykata Kushtetuese, pasi siç tha ai “nuk mund të jem i qetë pa e nxjerr këtë merak…” Kreu i shtetit nuk i kurseu kritikat për të gjithë aktorët si ata në vend, ashtu edhe për ndërkombëtarët.
“Dy herë janë hedhur shortet e KED-së dhe kur kam qenë unë Kryetar Kuvendi dhe më pas kur isha president. Kam bërë përpjekjet më të mëdha që gjithçka të bëhet në përputhje me Kushtetutën, me ligjet, të bëhet gjëja më e mirë. Herën e dytë, si president duke e ditur dështimin e herës së parë, që u humb 1 vit kohë dhe askush nuk mbante përgjegjësi, sepse dikush thoshte më ka dezinformuar ky, dikush ai tjetri, një papërgjegjshmëri totale këtu, përfshirë edhe partnerët ndërkombëtarë. Herën e dytë kam kërkuar me shkrim angazhimin e delegacionit të BE dhe të Euralius, që është një mision që paguhet nga taksapaguesit europianë për të garantuar zbatimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri sipas standardeve europiane dhe në respekt me Kushtetutën dhe ligje e Shqipërisë. Dhe kam folur hapur, se unë jam president, më takon me Kushtetutë të hedh shortin dhe do ta bëj këtë gjë. Por ne e dimë shumë mirë se çfarë ka ndodhur një vit më parë, kështu që t’i ftojmë të gjithë aktorët, jashtë kamerave, jashtë mediave, Kryetarin e Kuvendit, Kryetarin e Komisionit të Ligjeve, përfaqësuesit e institucioneve të tjera që kanë detyrë të propozojnë që të unifikojmë një qëndrim të përbashkët, sepse jemi në një situatë ekstraligjore, sipas parashikimeve të vetë Kushtetutës. Që të mos kemi debate, kontestime, sepse nëse bëhet fjala për këto unë jam president, unë ia kaloj parlamentit, parlamenti ka përgjegjësi sepse ka miratuar Kushtetutën, ka miratuar ligjet etj”.
Misionin e Euralius e akuzoi se me porosi politike ka shkelur Kushtetutën e Shqipërisë.
“Dhe ditën e fundit, Euralius çon përgjigje zyrës së Presidentit që ne në takim nesër nuk vijmë dot, sepse ne jemi mision teknik. Pra një mision teknik do të thotë që kemi marrë një porosi politike. Unë nuk e di edhe sot se nga kush u mor kjo porosi politike. Të kërkon Presidenti i Republikës një gjë, ta kërkon zyrtarisht, ta kërkon për të mirën përbashkët, për një reformë që e kemi bërë të gjithë bashkë, ku do të diskutohet me të gjitha institucionet, ku bëhet fjala për gjërat më të rëndësishme të një vendi, për Kushtetutën e një vendi, për Gjykatën Kushtetutën e një vendi… Po mirë ky Euralius, kam një pyetje për të gjithë ju: Si i jep një vërtetim një kryetari shumë të nderuar të Komisionit të Ligjeve për të zgjedhur një institucion që nuk ekziston në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Kjo nuk mund të jetë drejtësi europiane.”
Meta tha se Reforma në Drejtësi do të jetë e suksesshme kur në Shqipëri të ketë më shumë investime nga vendet më të zhvilluara, bizneset e të cilave kanë si kriter kryesor sistemin e drejtësisë dhe të gjykatave dhe theksoi se “ne duhet t’i bëjmë të qartë kujtdo, që Kushtetutën tonë nuk mund ta shkelim, nuk mund ta dhunojmë, kushdo qoftë, as Presidenti i Shqipërisë jo e jo, përkundrazi se ka vënë dorën në Kushtetutë dhe duhet të përgjigjet për çdo shkelje kushtetuese, por as një ambasador, asnjë diplomat, asnjë komisioner, askush tjetër.”
Presidenti tha gjithashtu se kishte kërkuar nga Drejtori për Zgjerimin në BE, një mision vlerësimi për zbatimin e Reformës në Drejtësi.
“Kam kërkuar që në fillim të Tetorit, Drejtorit të Përgjithshëm për Zgjerimin, zotit Danielson, që është një njeri shumë i përgjegjshëm, i kam thënë që ne jemi në një situatë të tillë. Ju shumë mirë që flisni për suksese të reformës në drejtësi, ato statistikat, vettingu, por ne kemi kaq kohë pa Gjykatë Kushtetuese. Unë jam Presidenti dhe unë nuk di se çfarë përgjigje do të jap se kur do të ketë Shqipëria Gjykatë Kushtetuese, edhe si do ta ketë ajo. Prandaj i kam thënë, sillni një mision vlerësimi për zbatimin, sepse po ikën kaq kohë, të reformës, në mënyrë që ne vërtetë të garantojmë që kjo është një histori suksesi për ne, sepse ne do të jetojmë në këtë vend, por edhe për ju sepse përmes kësaj reforme ne do të jemi më të besueshëm për të çelur negociatat për t’u anëtarësuar ne BE, e me radhë”./tvklan.al
Ещё видео!