Deputeti Dashamir Shehi, kreu i LZHK, në emisionin “Opinion” në News24 e cilësoi sistemin politik që kemi sot të dështuar dhe të ngatërruar.
Shehi tha se pret që Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim lidhur me listat e kandidatëve për deputet, ndërsa u shpreh se mënyra se si do të jenë listat, le t’ia lerë në dorë partive politike.
“Ne s’po kërkojmë që të gjitha partitë të kenë listat të hapura, por kjo t’i lihet partive në dorë. Kush është i interesuar për lista të hapura le ta aplikojë, kush nuk i do tërësisht të hapura le të përdorë modelin që kanë zgjedhur në Kuvend. Por nuk mund të mbyllin listat për të gjithë”, tha Shehi.
Kreu i LZHK tha se Presidenti i Republikës ka bërë gabim që dekretoi datën 11 maj për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare. “Bajram Begaj humbi shansin për të treguar se është mbi palët”, tha Shehi. Ai tha se i kishte kërkuar Kreut të Shtetit të dekretonte datën 4 maj për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Procesi zgjedhor mund të afektohet nga fakti se në datën 9 maj do të ketë festime për Ditën e Europës dhe kjo mund të ndikojë në zgjedhje. Presidenti kishte mundësi të bënte një gjest që të mos afektonte procesin zgjedhor”, tha Shehi.
Ещё видео!