Shqiptaro-amerikani Jani Zika është personi i vetëm që ka denoncuar në polici dhe në strukturat e Shërbimit Informativ Shqiptar, veprimtarinë kriminale të Emiljano Shullazit dhe grupit kriminal të tij. Gjithçka ka filluar në shkurt të këtij viti, kur në mbrëmje biznesmeni Jani Zika i është drejtuar policisë së Tiranës, duke pohuar se kërkonte të denonconte një plan për tjetërsim pasurie dhe eleminim fizik. Një oficer i gatshëm pranë policisë së Tiranës, ka administruar të gjithë kallëzimin penal kundër Emiljano Shullazit dhe djalit të xhaxhait të tij, Blerim Shullazi, duke e referuar dosjen më tej në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Kjo e fundit ka vendosur që në këto hetime të shmangë policinë e Tiranës dhe të investigojë rastin vetëm me Shërbimin Informativ Shtetëror, i cili ka servirur një sërë dokumentash dhe informacione me vlerë. Në kallëzimin që Jani Zika ka dhënë në polici, dhe më pas është larguar së bashku me familjen e tij drejt SHBA, ka treguar se Shullazi i kishte kërkuar që t’i kalonte në pronësi një parking nëntokësor me sipërfaqe 1200 metër katrorë, në rrugën “Sali Butka”, në Tiranë, pranë Policisë Bashkiake.
Kërkesa vinte pasi personit që Jani Zika ia kishte blerë, biznesmenit Fatmir Sinanaj, i kishte thënë se parkingu kushtonte më shumë sesa ishte paguar. “Para disa vitesh, tek Nesheraku, i kam blerë shtetasit Fatmir Sinani një parking nëntokësorë me sipërfaqe 1200 m katror, për një vlerë prej 300 mijë euro. Parkingun e kam blerë me kontratë porosie, pasi pallati është i pa hipotekuar. Fatmiri, pasi më bëri shitjen më ka thënë se parkingu kushtonte më shumë seç ia kisha blerë unë. I jam përgjigjur se, në qoftë se më kthente lekët, në çdo moment do t’i ktheja pronën këtij shtetasi”.
Takimet me Shullazin
Por në vend të përgjigjes nga Sinani, Zika thotë se është kontaktuar nga Emiljano Shullazi. “Para dy ose tre muajsh më ka ardhur tek garazhi një person i gjatë, të cilit nuk ia di emrin dhe më thotë që të kërkon Emiljano Shullazi. Ditën tjetër me telefonon rreth orës 13:00 ky person, si datë nuk më kujtohet dhe më thotë se po të presim tek lokali mbrapa Xhakës. Unë kam vajtur tek lokali dhe atje ishte dhe Emiljano, i cili më priste në lokal. Emiljano më thotë, çfarë garazhdi i ke mbajtur peng Fatmirit. Unë i kam thënë që nuk i kam mbajtur peng garazh, por më ka shitur garazh dhe ai më thotë, zgjidheni me Fatmirin këtë problem. Për këtë gjë unë kam vënë në dijeni dhe kushëririn tim Mitri Prifti.
Rrëfimi i Priftit
Në polici ka dhënë deklaratën e tij edhe Mitri Prifti. Ai ka thënë se Jani ka qenë shumë i frikësuar nga kërkesa për të takuar Shullazin. “Jani mbas këtij takimi ka qenë shumë i frikësuar dhe i dërgon njoftim Fatmir Sinanajt dhe i thotë më jep paratë që të kam dhënë dhe unë tërhiqem nga prona, vetëm problem nuk dua. Por djali i Fatmirit, shtetasi Andi Sinanaj i kishte kthyer përgjigje duke i thënë, tani merru me ata që kanë hyrë në lojë dhe mundohu t’i bindësh, se e di çfarë të gjen”.
Më dorëzo garazhin
Mitri Prifti ka dhënë detaje edhe për takimin me Emiljano Shullazin. “Në datën 02.02.2016, Janin e kanë marrë në telefon dhe e kanë takuar dy persona, rreth orës 11:00, tek “Neshraku”. Pasi i ka takuar personat, që ai nuk i njeh me emër, ata i kanë thënë, hip në makinë se të kërkon Emiljano Shullazi dhe Jani i ka thënë, që marr taksi dhe vij vetë dhe personat i kanë thënë të vish tani për dy minuta, se ai nuk do të pres ty. Jani shkon tek një lokal i kuq mbrapa qendrës “Globe” dhe atje takon personalisht Emiljano Shullazin, ku ai i thotë nesër nga ora 10:00 ta kesh telefonin e hapur dhe do të vijë ky djali i xhaxhait tim, të kalojë pak atë pronën në emër të tij.
Pa i lënë mundësinë që ai të flasë, Emiljano i ka thënë të dilte jashtë, pasi kishte mbaruar punë me të. Jani më tha se do të fikte telefonin që kishte komunikuar me këta persona dhe do të largohej nga Tirana, pasi personat ai i klasifikon me rrezikshmëri tej mase të lartë”. Një muaj më pas, më 13 Mars të këtij viti, në derën e garazhit të Jani Zakës shpërthen një sasi tritoli. Dëmet ishin të vogla, por për policinë dhe prokurorinë, që kishte nisur hetimet, ky ishte një paralajmërim. Jani Zika ishte larguar ndërkohë jashtë vendit, bashkë me familjen.
Ещё видео!