U arrestua më 1944 nga komunistët duke qenë një nga 300 të burgosurit e parë politikë të regjimit në Tiranë. Beqir Ajazi ishte brezi i parë i rinisë antikomuniste të luftës e provoi persekutimin komunist.
I fundit i një brezi idealistësh. Provoi pushkatimin e babait, vrasjen e vëllait dhe persekutimin e egër komunist. Gjykata Ushtarake e Krahinës Ushtarake të Korpusit të Parë në Tiranë më 1945-ën e dënoi me 15 vjet burgim e punë të detyrueshme me arsyetimin se “ka penguar luftën e popullit” dhe “ka sharë Stalinin”. Punoi në kampe pune dhe u lirua nga burgu i Burrelit më 1954-ën.
Edhe pas daljes nga burgu qëndroi i fortë moralisht. Nuk e përkulën as presionet e regjimit dhe punët e vështira e të rënda që kreu. Për këtë arsye, u internua me nënën e vet më 1975-ën bashkë me 132 persona të tjerë. Në përligjjen e vendimit thuhej se personat e internuar kishin pjesëtarë të familjeve të tyre të arratisur dhe se nuk mbanin qëndrim të mirë politik. Qëndroi për më se 10 vjet në fshatrat e Vlorës si i internuar. Në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan përballë gazetarit Blendi Fevziu, Beqir Ajazi tregoi fragmente të jetës së tij.
“Kam kam kaluar 13 vjet në burgim politik. Jam arrestuar më 1944-ën sepse isha nga një familje e spikatur, babai im komandonte rezistencën. Muhamet Prodani ishte personi që më kapi, e kisha pasur shok, ishte i pari që vuri dorë mbi mua. Të gjithë ata që u arrestuan u lëshuan më pas, por unë jo. Unë kam mbaruar shkollën në Korçë dhe në vitin 1937 aty paraqitet një ditë një njeri që quhej Enver Hoxha. Gjirokastritët që e njihnin flisnin për të shumë gjëra, tregonin që kishte qenë në Francë, ishte çapkën dhe pinte alkool. Unë nuk e kisha idenë që ai ishte komunist, e doja sepse ishte i këndshëm në bisedë dhe nuk kishte distancë me nxënësit. Ai fliste për patriotizmin dhe na ripërsëriste mësimet. Por njerëzit nuk kishin mendim të mirë për të sepse thoshin që ai natën shkonte nëpër shtëpi të ndryshme, nuk e di përse, por unë e kam parë vetë me gunga në fytyrë”, tha Ajazi./tvklan.al
I ftuar: Beqir Ajazi
Ещё видео!