Të gjithë ata prindër që kanë merak për të gjetur një çerdhe apo një kopësht për fëmijët e tyre, do të marrin një zgjidhje, pasi Bashkia e Tiranës ka gati projektin, i cili synon ngritjen e tyre pranë bizneseve apo kompanive. Kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi se puna për ngritjen e këtij projekti pilot në kryeqytet do të fillojë menjëherë në mandatin e dytë, çka jo vetëm do zbusë fluksin për regjistrimin në institucionet e arsimit parashkollor, por njëkohësisht edhe do të rrisë efikasitetin në punë të punonjësve.
“Ka ardhur koha që të eksperimentojmë atë që ndodh në shumicën e vendeve skandinave, ku një bankë e madhe, një kompani e madhe telekomunikacioni, një kompani e madhe fasone, duke kalkuluar që produktiviteti, sidomos i zonjave që punojnë, është më i madh nëse fëmijët gjatë kohës që ato punojnë kanë një shërbim, kopshte e çerdhe, besoj se ka ardhur koha ta pilotojmë edhe në Tiranë. Dua ta fillojmë mandatin e dytë jo me situatën e emergjencës, por me një situatë tjetër ku të ftojmë kompanitë e para, qofshin këto fason, banka, telekomunikacion, apo institucione shtetërore. Do ishte në të mirën e Bashkisë së Tiranës që ne vetë njëherë të krijonim një çerdhe publike në premisat e bashkisë për vetë Bashkinë e Tiranës. Do siguroheshim që nënat që punojnë në Bashki të kishin një produktivitet më të lartë, falë faktit që brenda në institucion është ruajtur një hapësirë për çerdhe ose kopësht”, tha Veliaj.
Për shumë vetë, tha Veliaj, i gjithë ky ndryshim me çerdhet dhe kopshtet nuk mund të mendohej para katër viteve, por falë punës së bërë dhe mbështetjes edhe nga bizneset është arritur transformimi dhe përmirësimi i kushteve për fëmijët. “Nuk besoj se kishte një mënyrë më të mirë për ta mbyllur javën e fundit të këtij 4-vjeçari, sesa me ata të cilët më dhanë një dorë, mua dhe skuadrës, që javën e parë. Ndoshta ishte utopi për disa të tjerë, ndoshta ishte komplet jashtë realitetit në ato ditë të para, ku shumë njerëz mund të thoshin ti je komplet i marrë, kjo s’është Amerika, Anglia, Gjermania, BE, këtu është secili për vete, Zoti për të gjithë. Por, 200 kompani iu përgjigjën thirrjes sonë të beftë në ato ditë të nxehta të gushtit, teksa afronte viti shkollor, dhe hapeshin kopshtet dhe çerdhet. Të gjithë bashkë, jo vetëm i kemi kthyer besimin publikut, por kemi hapur një faqe të re të çfarë do të thotë të punosh me cilësi në publik”, deklaroi Veliaj.
Ky propozim i kryebashkiakut Veliaj gjeti menjëherë mbështetjen edhe të përfaqësuesve të biznesit, të cilët shprehën gatishmërinë për të qenë pjesë e këtij projekti. Gjergji Gjika, kryetar i Dhomës së fasonistëve theksoi se kjo nismë është tepër pozitive, ndërsa vlerësoi kryebashkiakun që i ka ndryshuar faqen Tiranës. “Kam parë dhe eksperienca shumë pozitive të vendeve fqinje. Nga ana tjetër bëra një pyetësor te ndërmarrjet e mia dhe po ju them që 100% e grave ishin dakord që t’i sillnim fëmijët në kopshtin pranë ndërmarrjes, nëse behet. Jam shumë optimist për këtë gjë sepse e kuptoj shumë mirë. Jemi të gjithë të detyruar të kontribuojmë për qytetin. Padiskutim që do të mbështesim dhe është e vërtetë që i është ndryshuar faqja Tiranës. Në këtë iniciativë ta shqyrtojmë nga pikëpamja teknike donim një personel profesionist që edhe kontributi ynë të mos shkojë dëm”, tha Kryetari i Dhomës së fasonistëve, Gjergji Gjika.
Ещё видео!