www.tvklan.al Emision info-argetues nga Rudina Magjistari ne KLANHD & TVKLAN; Zhdukja e mistershme e Bleona Matës në Maj të vitit 2010 kur ishte vetëm 6 vjeç u shndërrua në një nga ngjarjet tronditëse dhe më të komplikuara të zhdukjes së një fëmije në Shqipëri. Gjithçka nisi pasditen e 22 Majit në fshatin Zapod të Kukësit kur Bleona Mata kishte dalë në kullotë në një terren të vështirë. Atë pasdite Bleona nuk ka qenë vetëm, por e shoqëruar nga 5 vajza të cilat ishin të afërme të saj. Sipas dëshmitareve të cilat ishin me Bleonën atë ditë, 6-vjeçarja ishte shprehur se do të ngjitej në kullotë ku ishte halla e saj.
Bleona ka mbërritur në kullotë, atje është pritur dhe është ushqyer nga halla e saj, Alketa. Sipas dëshmive, kjo e fundit është shkëputur e para nga grupi i vajzave dhe ka hyrë në thellësi të pyllit për të marrë bagëtitë nga kullota. Të njëjtën gjë kanë bërë më pas edhe vajzat e tjera duke lënë vetëm Bleonën e vogël. Fati Bleona Matës e zhdukur pa lënë gjurmë që prej 2010-ës vazhdon të mbetet ende mister. Koha e gjatë që ka kaluar duket se e bën edhe më të vështirë zbardhjen e këtij krimi.
Të shumta kanë qenë pistat e hetimit të ngritura në vazhdimësi përgjatë këtyre viteve. Dëshimia kryesore të çon në rrëmbimin e kësaj vajze, ndoshta për ta çuar fillimisht në Maqedoni, që është edhe pika më e afërt kufitare. Nëna e Bleona Matës, Bukurie Veizi nuk ka ndalur në asnjë moment kërkimet për vajzën e saj duke bërë publike vazhdimisht detaje të reja lidhur me vendin se ku mund të ndodhet Bleona me shpresën se një ditë do ta takojë vajzën e saj. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për babain e saj, Zamir Mata, i cili jeton aktualisht në Itali dhe jo vetëm që nuk është i interesuar për rrëmbimin e vajzës së tij, por ka shkëputur lidhjet edhe me familjarët.
Një ngjarje e komplikuar dhe tronditëse për të cilën ende sot nuk janë zbuluar gjurmë konkrete apo fizike duke e bërë një nga rastet më të vështira. Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, Altin Hazizaj dhe gazetarja Odeta Dume ishin të ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të folur për rastin e Bleona Matës dhe identikitin e ri që FBI ka krijuar.
“Pasditen e 22 Majit Bleona ka qenë duke luajtur me vëllanë e saj. Aty ka shkuar kushërira e tyre me emrin Qamile, e ka marrë dhe e ka çuar në mal. Aty kanë qenë edhe 4 vajza të tjera, ndër ta edhe halla e Bleonës. Çuditërisht asnjëra prej tyre nuk e di çfarë ka ndodhur me Bleonën. Nëna e saj dyshon fort se Bleona është rrëmbyer pasi ai mal të lidh me Kosovën dhe Maqedoninë. Atë ditë është parë një djalë i veshur me të zeza të ngjitej në mal dhe nëna dyshon. Ajo ka thënë emrin e dajës së Qamiles, i cili po ashtu i bie të jetë kushëriri i Bleonës dhe që mund ta ketë rrëmbyer. Ai kishte studiuar në Kosovë për mjekësi dhe dyshohet ta ketë rrëmbyer për organe. Por policia nuk ka zbardhur asgjë. Kërkime për Bleonën janë bërë në Maqedoni, Itali, Kosovë dhe tashmë kanë nisur kërkimet edhe në Britaninë e Madhe”, tha Dume.
“Ne e kemi ndjekur ngjarjen. Raste të tilla janë shumë shumë të vështira për t’u zbardhur e vërteta. Ne kemi bashkëpunuar me qendrën globale të fëmijëve të humbur për të realizuar identikitin e Bleona Matës. Identikiti është realizuar nga ekspertët më të mirë të FBI. Është dashur 3 javë punë nga ekspertët për ta realizuar identikitin e saj”, tha Hazizaj.
Nëna e Bleona Matës, Bukurie Veizi nuk ka ndalur në asnjë moment kërkimet për vajzën e saj duke bërë publike vazhdimisht detaje të reja.
Me shpresën se një ditë do ta takojë vajzën e saj, Bukurie Veizi përmes një videomesazhi në emisionin “Rudina” në Tv Klan i bën thirrje shtetit të marrë masa për 5 dëshmitaret, kushërirat e Bleona Matës të cilat kanë qenë me të pasditen e 22 Majit kur u zhduk 6-vjeçarja. Ajo po ashtu i bën thirrje të gjitha organeve të angazhohen për gjetjen e vajzës së saj ndërkohë që shprehet se ka 9 vite pa e parë dhe se i mungon.
“Dëshiroj që Bleona së shpejti të jetë pranë nënës, vëllait dhe gjirit familjar. I bëj thirrje shtetit në emër të një nëne që 5 vajzat kriminele të Bleonës po rrinë të lira dhe nuk po torturohen nga policia dhe as nuk po thirren nga ana shtetërore. Pesë kriminelet janë dëshmitare të vajzës time. I bëj thirrje të gjitha organeve kompetente të bashkëpunojnë për gjetjen e Bleonës sepse na mungon shumë. U bënë 9 vite që nuk dimë gjë ku ndodhet Bleona dhe si ndihet ajo sot. I bëj thirrje të gjithëve të bashkohen dhe të bashkëpunojnë për gjetjen e saj”, tha nëna e Bleona Matës, Bukurie Veizi.
Ещё видео!