Pasditja e 30 tetorit trazoi sërish qetësinë në Shkodër, teksa një atentat i armatosur i mori jetën katër personave.
Mbi 50 plumba u zbrazën në drejtim të mjetit ku po udhëtonte Hamza Lici dhe Arlind Bushati, në lagjen Dobraç të kryeqendrës së veriut të vendit, e njohur si lagjja e fisit Bajraj.
Pas breshërive të të shtënave, humbi jetën në vend Hamza Lici, vëllai i të shumëkërkuarit Ibrahim Lici, emër i njohur i botës së krimit në Shkodër. Plumb në kokë mori dhe Arlind Bushati, i cili u transportua fillimisht në spital, por nuk ia doli që të mbijetojë.
Krimi tronditës mori nota edhe më tragjike, pasi si pasojë e kësaj përplasjeje humbën jetën burrë e grua, Flutura dhe Bashkim Basha, të cilët po ktheheshin nga puna për në shtëpi te tre fëmijët e tyre. Ata u ndodhën në vendin e gabuar dhe në momentin e gabuar, ku sipas informacioneve të policisë thuhej se u përplasën nga mjeti që drejtohej nga Lici, pasi humbi kontrollin e përfundoi në një mur rrethues.
Çifti ishte duke udhëtuar me motor, e sipas policisë janë përplasur nga mjeti i Licit, pasi ai u qëllua nga autorët që udhëtonin me mjetin Range Rover. Flutura humbi jetën në vend, ndërsa bashkëshorti i saj mbylli sytë në spital disa ditë pas ngjarjes.
Por kjo ngjarje ka shumë mistere dhe dritëhije që policia ende nuk ka dalë në një deklaratë sqaruese dhe shteruese, së paku për dinamikën e atentatit!
Pas ngjarjes, një video që qarkulloi me shpejtësi në media hodhi dyshime se në mjetin e viktimave kishte qenë edhe një person i tretë, për të cilin policia nuk kishte bërë asnjë njoftim zyrtar. Më pas u bë më dije jo zyrtarisht që në mjetin e viktimave ishin gjetur tre telefona, tre armë, gëzhoja dhe gjurmë gjaku që dyshohet se i përkisnin një personi të tretë, por pa bërë dot të mundur identifikimin e tij.
Dyshimet shkuan më tej, kur thuhej se personi i tretë mund të ishte Ibrahim Lici, i shpallur në kërkim nga policia, e po ashtu se ai mund të kishte qenë dhe shënjestra e atentatit, që i mori jetën vëllait të tij dhe djalit të Xhemal Bushatit, ish-kandidat i PD për bashkinë Shkodër, e për rrjedhojë dhe çiftit të pafajshëm.
Policia ushtroi kontrolle në disa klinika private për të rënë në kontakt me “fantazmën” që u zhduk nga vendi i ngjarjes dhe që dyshohej se po ashtu kishte mbetur i plagosur, por pa rezultat.
Policia tha se pak minuta pas ngjarjes gjeti në fshatin Golem të Shkodrës një mjet tip Range Rover të djegur, mjet i cili mendohet se i përket autorëve të atentatit. Në të janë gjetur tre armë, por asnjë e dhënë tjetër që mund të çojë në zbulimin e autorëve apo porositësve.
Shumë persona u morën në pyetje nga policia, ndërsa në kërkim u shpallën dy persona, Izmir Sakica dhe Samuel Troshani, dy të rinj që rezultojnë se kanë edhe precedentë të mëparshëm penalë.
Nga ana tjetër dëshmi thonë se disa ditë para atentatit me katër viktima, në qytetin e Shkodrës mjeti Range Rover ishte parë të qarkullonte, madje se personat që ishin në të prezantoheshin si policë. Ky është një informacion që nuk konfirmohet zyrtarisht nga autoritetet e drejtësisë.
Dyshime ka edhe për mënyrën e vdekjes së çiftit që sipas policisë janë përplasur nga mjeti i viktimave. Aludohet se mund të kenë ndërruar jetë pasi janë prekur nga plumbat. Kjo mbetet sërish e dhënë që policia duhet që ta sqarojë.
Ditën e ngjarjes, dyshohet se policia është futur në Dobraç disa orë me vonesë, vetëm pasi më herët ka mbërritur aty RENEA.
Sot Autoriteti i Mbikëqyrjes Policore njoftoi se disa efektivë që kanë qenë në vendin e ngjarjes në Dobraç janë dërguar për hetim, të dyshuar për shpërdorim detyre. AMP ka dyshime të forta se efektivët nuk kanë kryer detyrën duke lënë që të ikë nga vendngjarja personin e tretë që dyshohet se ishte në makinën e Hamza Licit dhe Arlind Buhatit.
Ndërkohë, pas gjithë këtyre pikëpyetjeve për këtë atentat që autorët nuk dihen, e po ashtu as shënjestra e saktë, SPAK ka marrë në dorë dosjen, me dyshimin e fortë se kjo masakër është organizuar nga një grup i fortë kriminal.
Departamenti i Informacionit, më i madhi, më kryesori në Top Channel, i cili shënoi fillimin e televizionit me edicionin e lajmeve në 20 dhjetor 2001. Përmes informacioneve të shpejta, të sakta dhe të thelluara, reportazheve dhe rubrikave të tjera informative, Top Channel është kthyer në burimin kryesor dhe me prestigjioz të informimit të të gjithëve në Shqipëri, në hapësirën mbarëshqiptare dhe kudo tjetër në botë ku shqiptarët jetojnë. Top Channel është i pranishëm me kamerat dhe gazetarët e tij në të gjitha ngjarjet më të rëndësishme të vendit dhe në botë, me edicionet e tij informative.
Për më shumë vizitoni: [ Ссылка ]
Subscribe to "Top Channel" on YouTube Channel for NEWS and TV
Shows HERE: [ Ссылка ]
For more content from click HERE: www.top-channel.tv
Like Top Channel on Facebook HERE: [ Ссылка ]
Follow Top Channel on Instagram HERE: [ Ссылка ]
Follow Top Channel on Twitter HERE: [ Ссылка ]
#Shkoder#TopChannelNews
Ещё видео!