Copyrighted by News24 Albania
Merisa dhe Gentiana Caushi janë dy motrat që u vranë nga bashkëshorti i kësaj të fundit mbrëmjen e djeshme në Ballsh. Kjo ngjarje ka tronditur padyshim të gjithë, ndërsa krimi makabër është kryer në sy të dy fëmijëve të mitur të çiftit.
Djali dhe vajza, përkatësisht 3 dhe 7 vjeç kanë parë të gjithë skenën e tmerrshme, kur babai i tyre në gjendje të dehur vrau atë që është gjëja më e shtrenjtë në jetë, nëna dhe tezen e tyre.
Kur kanë kaluar 24 orë nga ky krim makabër, të tjera detaje kanë dalë në dritë. Gazmend Musta, autori i vrasjes së dyfishtë ka treguar se pse ndodhi vrasja. 34-vjeçari ka mohuar se krimi të ketë ndodhur për shkaqe xhelozie, por shton se gjithçka erdhi pas kërkesës së saj, 31-vjeçares për të shkuar te prindërit e saj.
“Ajo më kërkoi të shkonte te prindërit e saj, por unë nuk e lejova pasi nuk kisha marrëdhënie të mira me ta”. Kështu ka deklaruar Gazmend Musta para grupit hetimor. Gjithashtu, mësohet se 34-vjeçari ishte kthyer i dehur në shtëpi, pasi kishte qenë në fshtin e tij Drenovë për festa.
Pas debateve me bashkëshortin ajo është shprehur se do të merrte fëmijët dhe do të shkonte vetë në fshat. Kjo gjë ka zemëruar së tepërmi Gamozin i cili është shprehur se ai ishte burri i shtëpisë dhe vendoste ai se çfarë do të bëhej. Kërkesa e bashkëshortes u refuzua nga 34-vjeçari, që kishte vetëm dy ditë që kishte ardhur nga Greqia. Pas sherrit, Musta e goditi gruan Gentianën me thikën e bukës disa herë duke e lënë të vdekur, ndërsa kunata Merisa Caushaj ndërhyri për të shpëtuar motrën, por edhe ajo fatkeqësisht mbeti e vdekur.
Mësohet se pas ngjarjes së rëndë 34-vjeçari ka marrë fëmijët dhe poshtë pallatit ka ndeshur me një patrullë policie.
Fillimisht ai është shprehur se i kanë vrarë gruan, por pasi është shoqëruar në komisariatin e Mallakastrës ai ka pranuar kryerjen e krimit, por ka kërkuar të dijë mbi shëndetin e bashkëshortes, pasi nuk e besonte se ajo kishte ndërruar jetë.
Fëmijët e mitur të çiftit 7 dhe 3 vjeç aktualisht kanë qenë nën kujdesin e vazhdueshëm të një psikologeje, duke qenë se ishin të pranishëm në shtëpi në momentin e kryerjes së krimit.
Mes kujës dhe dhimbjes së madhe, Gentiana dhe Merisa Caushi do të përcillen për në banesën e fundit nga shtëpia e tyre në fshatin Drenovë.
Prej disa kohësh, çifti jetonte në një banesë me qira në lagjen “5 Shkurti” në Ballsh. 34-vjeçari ishte emigrant në Greqi dhe ishte kthyer për festat e fundvitit.
Ещё видео!