Në një deklaratë për mediat disa orë para protestës së tetë kombëtare të opozitës, zv.drejtoresha e përgjithshme e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj u shpreh se uniformat blu kanë marrë të gjitha masat për të garantuar zhvillimin e saj. Për shkak të informacioneve që policia disponon, ajo bëri thirrje që të mos tejkalohen kufijtë e ligjit.
"Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për të garantuar lirinë demokratike të tubimit dhe njëkohësisht ka kërkuar bashkëpunimin e organizatorëve për të shmangur dhunën gjatë saj. Për shkak të informacioneve shqetësuese që Policia disponon, në vazhdën e protestave të shkuara të të njëjtave subjekte politike, u bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve të mos tejkalojnë kufijtë e ligjit”, tha zv/drejtoresha e Policisë së Shtetit.
Gjithashtu Hajnaj deklaroi se mes të ndaluarve në protestën e kaluar të opiztës kishte edhe persona me precedentë penalë. Prandaj ajo i bëri thirrje organizatorëve që të largojnë nga turma njerëz me maska apo mjete të forta të forta në duar.
“Po ashtu, nisur nga ngjarja e rëndë e protestës së kaluar ku protestues të dhunshëm goditën me shufra metalike protestues paqësorë, u bëjmë thirrje organizatorëve të largojnë nga turma njerëz me maska apo me mjete të forta në duar, duke ia dorëzuar menjëherë Policisë. Policia e Shtetit ka konstatuar me shqetësim se mes të ndaluarve në protestat e shkuara ka individë me precedentë të rëndë penale, siç ishte rasti i njërit prej dhunuesve të dy protestuesve paqësorë, i dënuar për trafik ndërkombëtar droge.
I bëjmë thirrje të drejtpërdrejtë organizatorëve të marrin të gjithë përgjegjësinë e tyre për moslejimin e devijimit të protestës. Po ashtu rikujtojmë se përdorimi i mjeteve piroteknike është jo vetëm i paligjshëm, po edhe tejet i rrezikshëm për shëndetin e jetën e punonjësve të Policisë dhe qytetarëve.Policia e Shtetit do t’i qëndrojë strikt parimit demokratik të proporcionalitetit dhe është e përgatitur të reagojë në proporcion të plotë, me çdo akt dhune. Po ashtu u kërkojmë qytetarëve të Tiranës, që nuk janë të interesuar për protestën, të shmangin lëvizjen në perimetrin e protestës së sotme, e cila do të jetë nën monitorimin e plotë të Policisë”, tha Hajnaj./abcnews.al
Ещё видео!