Reagime kundër edhe në Prishtinë
Austriaku Peter Handke dhe polakja Olga Tokarczuk janë fituesit e çmimeve Nobel në Letërsi, i pari për këtë vit ndërsa e dyta për vitin 2018, kur dhënia e çmimit u shty për shkak të skandalit seksual ku u përfshi bashkëshorti i Katarina Frostenson, anëtare e jurisë.
Por çmimi i madh për letërsinë që iu dha Peter Handkes ka vënë në shënjestër të kritikave akademinë suedeze të Nobelit. Ai ka qenë ndër mbështetësit më të mëdhenj të ish-Jugosllavisë dhe ka mbështetur me zjarr serbët në luftërat ballkanike të viteve ’90. Në vitin 2006 ka marrë pjesë në varrimin e Sllobodan Millosheviçit, të cilin e simpatizonte pavarësisht se akuzohej për gjenocidit. Bombardimet e NATO-s kundër Beogradit i ka quajtur krime lufte.
Kryeministri Edi Rama, reagoi në Twitter duke e quajtur paturpësi dhënien e çmimit Nobel për Handken.
“Kurrë nuk do e mendoja që do të më bënte me vjellë çmimi Nobel, por paturpësia po bëhet pjesë normale e botës ku jetojmë. Pas zgjedhjes së turpshme të bërë nga një autoritet moral si Akademia e Nobelit, ku turpi është vulosur si një vlerë e re. Jo nuk mund të bëhemi kaq të ngurtë ndaj racizmit dhe gjenocidit”.
Edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë e quajti Nobelin në Letërsi për Handken, “një akt të turpshëm”.
Ish-kryeministri Sali Berisha e konsideron fyerje për qindra viktima të gjenocidit dhe i bën thirrje Komitetit të Nobelit ta anulojnë çmimin për Handken.
“Një mostër e racizmit Peter Handke, adhurues i kasapit te Ballkanit mohues i gjenocidit serb ne Bosnje dhe Kosovë, një Knut Hamsun i Ballkanit laurohet me çmimin Nobel. Kjo është një fyerje e rende për qindra mijëra viktima të gjenocidit të xhelatëve Millosheviç, Karaxhixh, Mlladiç. Iu bëj thirrje autoriteteve te Komitetit te Çmimit Nobel të rishqyrtoje vendimin e tij-shkruan Berisha në rrjetin social Facebook.
Akademia e shkencave në Kosovë, në një letër drejtuar akademisë suedeze të Nobelit shpreh zhgënjimin që çmimi iu dha një shkrimtari që u rendit në anën e gabuar të historisë, duke mbështetur regjimin gjakatar të Millosheviçit.
E përditshmja “Die Presse”, 5 vite më parë shkruante se vetë Handke kishte bërë thirrje për shkrirjen e çmimit Nobel për letërsinë, që sipas tij bënte shenjtërime të rreme të veprave letrare.
Tv Klan
Ещё видео!