Drejtori për Evropën Qendrore e Jugore në Departamentin e Shtetit, David Kostelançik ka takuar në Tiranë aktorët kryesorë politikë në vend, nga mazhoranca e opozita. Vizita e zyrtarit amerikan vjen teksa vendi ndodhet në një krizë politike 6 mujore.
Drejtor për Evropën Qendrore e Jugore në Departamentin e Shtetit, David Kostelancik takoi njëri pas tjetrit drejtuesit politik në vend. Zyrtari i lartë i DASH u takua mesditën e të mërkurës me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Për 60 minuta, Kostelancik dhe Basha kanë ndarë diskutime në lidhje me krizën politike në Shqipëri, por edhe reformat e rëndësishme që duhen miratuar. Mësohet se gjatë, takimit zyrtari i DASH kërkoi angazhim nga opozita për reformën zgjedhore, ndërkohë që kryedemokrati ka bërë një panoramë të asaj që ndodhi me zgjedhjet e 30 Qershorit ku partitë opozitare nuk morën pjesë në zgjedhje. Pas takimit, Basha deklaroi se diskutimi me Kostelancik ishte konstruktiv.
“Diskutim shume i hapur dhe konstruktiv me David Kostelancik, drejtori i ri i Zyrës së Europës Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit. Në fokus, fund pandëshkueshmërisë së politikanëve, rikthim i sundimit të ligjit, dhe fund kapjes së shtetit dhe korrupsionit dhe forcimi i partneritetit strategjik të Shqipërisë me SHBA”, u shpreh Basha në Twitter.
Në takim, zyrtari i DASH shoqërohej edhe nga e ngarkuara me punë e SHBA-së në Tiranë, Leyla Moses-Ones. Më herët, zyrtari i DASH u takua me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Sipas njoftimit zyrtar të shpërndarë pas takimit mësohet se Kostelancik në takimin me Ruçin vuri në dukje nevojën për kryerjen e reformës zgjedhore dhe rekomandoi se është përgjegjësi e qeverisë që dora e shtrirë e për opozitën duhet të mundësojë tërheqjen e saj në realizimin e kësaj reforme.
Sipas zyrtarit të DASH, kryerja e reformës zgjedhore brenda vitit do të mundësojë edhe një presidencë shqiptare të suksesshme të OSBE-së në vitin 2020. Gjithashtu Kostelancik ka shprehur mbështetjen e SHBA-së për reformën në drejtësi, duke nënvizuar se “Institucionet e reja të sistemit do tu shërbejnë qytetarëve sot e në të ardhmen dhe do të mundësojnë që shqiptarët të jetojnë në paqe e mirëqenie. Vettingu është mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështetet fort nga SHBA”.
Takim drejtori për Evropën Qendrore e Jugore në Departamentin e Shtetit zhvilloi edhe me kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Ballën. Në përfundim të takimit, Balla theksoi se qeveria shqiptare e drejtuar nga Kryeministri Edi Rama është e angazhuar maksimalisht për të qenë partner i vendosur përkrah SHBA-së në drejtim të zhvillimeve demokratike, të ruajtjes së stabilitetit, paqes e prosperitetit në Ballkanin Perëndimor e më gjerë, të konsolidimit të ekonomisë së tregut, të luftës kundër terrorizmit, mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Shqipëria është në prag të fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE, gjithashtu gjatë vitit 2020 do të ketë presidencën e OSBE./ABC News Albania 24/7
Ещё видео!