Deputetët e rinj që do të ulen në kuvend pas marrjes së mandateve nga KQZ, sipas Partisë Demokratike nuk do të konsiderohen si opozitë legjitime. Lulzim Basha, në krah të aleatëve të tij, tha prerazi se nuk do të njohë asnjë opozitë fasadë e aq më pak ligje të miratura në një kuvend që sipas tij është ilegjitim.
"Me këtë Parlament ilegjitim dhe klonimet e dështuara që Rama do shesë nesër si fasadë opozite s'ka për të pasur fasade opozitë. Çdo hap i një Kuvendi ilegjitim nuk njihet nga ne. Asnjë ligj që mbron dhe përfaqëson interesat e një grupi hajdutësh e kriminelësh nuk njihen nga opozita. Janë vendime që s'kanë asnjë efekt në rrugën qe ka nisur opozita".
Një mesazh adresoi edhe në adresë të Kryeministrit Rama, duke i kujtuar dy dosje që sipas tij faktojnë përfshirjen e zyrtarëve të lartë të mazhoracës dhe Partisë Socialsite në krim elektroral.
"Edi Rama, dosja "339" është makthi yt. Ti e di fare mirë se përtej minutave që janë botuar nga Zëri i Amerikës dhe Birn çfarë përmban ajo dosje, uroj ta dish se çfarë përmban edhe dosja "184". Të dyja këto dosje do të zbardhen. Drejtësisë do t'i zgjidhen duart. Të gjithë politikanët e përfshirë me kokat e krimit të organizuar do të shkojnë para drejtësisë dhe shqiptarët do të kenë zgjedhje të lira dhe të ndershme".
Qytetarët i ftoi të mos mungojnë në tubimin e nesërm përpara Parlamentit, teksa e akuzoi Kryeministrin Rama se po vendos një regjim ushtarak duke i mohuar shqiptarëve të drejtën kushtetuese për të protestuar.
"Sot makineria e Ramës është shkërmoqur dhe këtë e shohim në vendimin absurd për të mbrojtur Parlamentin me regjim ushtarak ku kërkohet t'i mohohet qytetarëve të protestojnë".
Basha tha se që prej 16 Shkurit për shqiptarët ka nisur rrugëtimi i shpresës dhe se opozita nuk do të ndalet deri në krijimin e një qeverie tranzitore që do t'i hapë rrugë zgjedhjeve parlamentare të parakohshme.
Tv Klan
Ещё видео!