Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Prishtinë këtë të enjte. Ai është pritur në një takim nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani që u zhvillua pa praninë e mediave.
Gazetarja Klesiana Omeri raportoi se takimi Osmani-Rama ka zgjatur më shumë se sa ishte parashikuar.
Në përfundim të takimit, në një reagim në rrjetet sociale, Osmani zbuloi më shumë për temat që u diskutuan.
“Me Kryeministrin Edi Rama diskutuam sot proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, me fokus në Samitin e NATO-s dhe Samitin e Procesit të Berlinit. Forcimi i mëtejmë i bashkëpunimit në mes të dy shteteve tona është në të mirë të qytetarëve tanë dhe në të mirë të së ardhmes sonë të përbashkët euroatlantike”, shkruajti Osmani.
Osmani ka theksuar ndër të tjera se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës. Po ashtu Osmani mësohet se theksoi se “është e domosdoshme që ata që kanë sulmuar NATO-n, gazetarët, policinë e Kosovës dhe qytetarët në veri, të jenë përgjegjës para ligjit, sepse pandëshkueshmëria mund të nxisë edhe më shumë dhunë”.
Pas takimit me Osmanin, Rama është takuar ndaras me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier. Ky i fundit refuzoi që t’u përgjigjej gazetarëve si në hyrje dhe në dalje të ambienteve ku u zhvillua takimi.
Pas kësaj, Rama ka vijuar me axhendën dhe është takuar me kryeparlamentarin e Kosovës, Glauk Konjufca.
Por duket se nga ana e Kryeministrit Albin Kurti nuk ka pasur një pranim të ftesës. Ai është larguar nga ambientet e qeverisë së Kosovës në momentin që Rama ka mbërritur në zyrat e Presidencës.
“Kryeministri Kurti nuk ka pasur një pranim të ftesës dhe vizitës së kreut të qeverisë shqiptare. Madje Kurti është larguar në momentin që Rama ka mbërritur në zyrat e Presidencës duke qenë se ndodhen afër godinat, kryeministri Kurti është larguar nga godina e qeverisë. Ende nuk ka pasur një reagim nga ana e qeverisë së Kosovës lidhur me këtë situatë të krijuar edhe pas nënshkrimit të 13 marrëveshjeve të kërkuara nga kryeministri Albin Kurti”, raportoi gazetarja Klesiana Omeri.
Kujtojmë se nga Shkupi, aty ku kryeministri Rama nisi turin e tij ballkanik, i kujtoi Kurtit atë çka thotë Kanuni kur dikush të vjen në shtëpi.
“Kam akoma shpresë që Albini nuk e ka harruar Kanunin që kur të vjen në shtëpi, edhe hasmit i hapet dera dhe është e ndaluar që ta nxjerrë jashtë”, u shpreh Rama.
Kryeministri Rama do të qëndrojë mbrëmjen e sotme në Prishtinë. Nesër ai do të vijojë takimet në Bosnje Hercegovinë, Mal të Zi dhe do ta përfundojë në Beograd të Serbisë.
Me turin e ndërmarrë në 5 vendet e Ballkanit Perëndimor, qëllimi është fokusimi i plotë i të 6 vendeve të rajonit tek Procesit i Berlinit./tvklan.al
SUBSCRIBE to "RTV KLAN" on YouTube for more videos!
Për më shumë informacione vizitoni faqen tonë web [ Ссылка ]
Follow Klan News on Facebook: [ Ссылка ]
Follow @klannews on Instagram: [ Ссылка ]
#KlanNews #KlanNewsLajme #TvKlan
Ещё видео!