Përkundër thirrjeve që u janë bërë partive politike, që në zgjedhjet e 6 Tetorit të mos kandidojnë individë me aktakuza, kjo nuk është respektuar nga disa parti politike.
Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, koalicioni AAK-PSD i prin listës me 13 kandidatë me aktakuza, prej tyre pesë të dyshuar për vepra korruptive.
Me aktakuza apo dënime, por jo për vepra korruptive, LVV- ja ka 6 kandidatë në listën e saj zgjedhore, PDK-ja 4 dhe koalicioni Nisma-AKR-PD, 2.
Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës kishte futur një kandidat me aktakuzë për vepra korruptive, por që ka thënë se do ta heqë menjëherë pas raportimit në media.
Ndërkohë, Instituti Demokratik i Kosovës ka lançuar fushatën ku kërkohet nga qytetarët që të mos i votojnë kandidatët me aktakuza. Instituti i Kosovës për Drejtësi ka prezantuar një raport krahasues me kandidatët me aktakuza në tri palë zgjedhjet e fundit nacionale.
Sipas raportit, në listat e kandidatëve për deputetë, në zgjedhjet e vitit 2014 ka pasur 15 persona me aktakuza, 12 prej të cilëve ishin zgjedhur deputetë. Ndërsa në zgjedhjet e 2017-s, në listat e partive kanë qenë 27 kandidatë me aktakuza, prej të cilëve 21 ishin bërë deputetë.
Edhe shtetet anëtare të Quint-it, ditë më parë u kanë bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos i votojnë personat e lidhur me krimin dhe për të cilët ka dyshime për afera korrupsioni.
Me asnjë kandidat me aktakuzë apo të dënuar për korrupsion është lista e PDK-së. Përjashtimisht, lista ka një të dënuar për krime lufte, një të dënuar për vepra penale kundër sigurisë në trafik dhe dy të akuzuar për vepra penale që nuk hyjnë në kuadër të veprave penale korruptive.
Tv Klan
Ещё видео!