Mirush Kabashi, aktori i madh shqiptar që elektrizon publikun sa herë ngjitet në skenë, ai që i jep shpirt dhe emocion fjalës, rrëfehet për herë të parë për jetën dhe kalvarin e familjes së tij kosovare.
Pasi gjyshi i tij Saliu u vra nga serbët, për familjen gjakovare Kabashi nisën të tjera vuajtje në atdheun mëmë.
Amaneti që djali i tij i vetëm, Musai, babai i Mirushit, të shkollohej në Shqipëri, sepse serbët nuk e lejonin çeljen e shkollave shqipe, do ta ndryshonte në një mënyrë të paparashikueshme jetën e familjes së aktorit.
I lindur në vitin 1948 në Shkodër, Mirush Kabashi, aktori që nuk njeh moshë për energjinë, plastikën dhe ekspresivitetin burimor të shpirtit të tij artistik, do të mbetet i paharrueshëm me Sokratin, rolin më brilant në mesin e 100 roleve të luajtura gjatë jetës së tij në teatër e kinema.
Por filozofia e Sokratit, duket se e paska udhëhequr ende pa e ditur jetën e aktorit dhe familjes Kabashi në kalvarin e persekutimeve të diktaturës, që u vendos në Shqipëri pas 1944-s.
Në intervistën ekskluzive për Report Tv, bashkë me ngjitjet, shkëlqimet dhe privimet nga skena, aktori rrëfen jetën e familjes gjakovare përgjatë gati një shekulli në Shqipëri, nga Tirana në Kavajë e në Shkodër. Kalvari i familjes së aktorit nis me burgosjen e babait, Musa Kabashin, pa asnjë shkak, vetëm se paskej studiuar në shkollën amerikane “Harry Fultz”.
Të tjera dënime pasuan në familjen Kabashi me burgosjen e dajës Hysen Çela, si gjoja spiun i amerikanëve dhe masakrimi e zhdukja e eshtrave të dajës tjetër Skënder Çela.
Këto histori dhe një fjalë përgëzuese e Enver Hoxhës për talentin e aktorëve Robert Ndrenika dhe Mirush Kabashi sjellin për publikun jetën e panjohur të aktorit pas shkëlqimit dhe sfidave të karrierës së tij.
Ещё видео!