Një ditë pasi kryeministri Edi Rama bëri publik emrin e kandidatit të koalicionit të majtë për bashkinë e Tiranës, numri dy i këtij koalicioni Ilir Meta tha se Erjon Veliaj është një emër gjithëpërfshirës.
“Gjithmonë do zgjidhet një kandidat, të gjithë kandidatët që janë përmendur, diskutuar kanë patur vlerat e tyre. Kandidatura e Veliaj është një kandidaturë e jona dhe meriton mbështetjen tonë. Koalicioni ynë është gjithëpërfshirës dhe kandidati ynë nuk mund të ishte ndryshe”, deklaroi Meta.
Sa i përket kundërshtarit të Erion Veliaj në këtë garë, doktorit Halim Kosova të përzgjedhur nga PD, Meta tha se ka konsideratën më të mirë dhe për të. Sipas kryetarit të Kuvendit gara për Tiranën do të jetë interesante, ndërsa nuk ka lënë pa përmendur dhe kandidatët e pavarur që për Ilir Metën tregojnë se demokracia funksionon.
“Kandidatura e Veliajt është e spikatur. Edhe për zotin Kosova kam konsideratën më të mirë. Në fund të fundit është një garë mjaft interesante, duke menduar që kemi dhe kandidatë të tjerë që nuk duhen nënvlerësuar, por duhen vlerësuar për kurajon dhe inicativën e tyre. Është një garë mjaft demokratike, interesante, besoj se Veliaj e fillon garën nga dita e djeshme në avantazh, e do udhëheq deri në 21 qershor. Kandidatët e pavarur nuk prishin punë, por ndreqin punë. Ata tregojnë se demokracia funksionon, i japin mundësi qytetarëve të kenë zgjedhje të tjera përveç dy forcave kryesore, por janë dhe një leksion për forcat politike që të jenë më të hapura”, deklaroi Meta.
Më tej kryetari i Kuvendit ka përsëritur qëndrimin e tij se zgjedhjet e 21 qershorit do të jenë historike për faktin se do të zhvillohen përmes reformës së re territoriale.
“Reforma e fundit territoriale ndryshon steriotipin e kryetarit të bashkisë dhe komunës dhe vë në dukje aftësinë e të zgjedhurve për të menaxhuar më mirë çështjet e komunitetit”, ka shtuar Meta.
Ndër të tjera, ai nuk ka preferuar të komentojë debatet e fundit në komisionet parlamentare lidhur me dekriminalizimin, duke theksuar se “ky është një proces që tashmë ka nisur”.
Sa për akuzat për standarde të dyfishta të bëra nga PD lidhur me rastin e deputetëve Doshi dhe Frroku dhe atë të deputetit Kokëdhima, Meta ka nënvizuar se, nuk bëhet fjalë për standarde të tilla pasi në rastin e Doshit dhe Frrokut kërkesa për heqjen e mandateve erdhi nga prokuroria.
Ещё видео!