Lulzim Basha u ka dhënë dje fund gjithë hamendjeve dhe skenarëve jo zyrtarë për negociata sekrete mes tij e Edi Ramës për zgjidhjen e krizës. Nga qyteti i Elbasanit, ku ndodhej për një takim me të rinjtë e PD, Basha hodhi poshtë mundësinë që mes tij dhe Edi Ramës të ketë një marrëveshje bashkëqeverisëse. “Njësoj si minjtë e zënë në çark, në çarkun e paudhësive të tyre, Edi Rama dhe banda e tij kanë nisur të lëvrijnë nëpër anijen që po mbytet. Me siguri i keni dëgjuar thashethemet që përhapin. Minjtë e ndjejnë ankthin, e ndjejnë frikën, kanë filluar të përhapin versionet e daljes nga kriza: qeveri e përbashkët Basha-Rama. Le t’ia kujtojmë gjithësecilit që e ka kujtesen e shkurtër: Le ta them qartë dhe prerë: Pazar në kurriz të qytetarëve, kurrë, kurrë, kurrë. Asnjëherë”,- deklaroi kreu i PD-së Lulzim Basha.
Deklarata e kreut të PD-së ngjan si një qëndrim i përsëritur dhe më parë, por në rrethanat aktuale politike merr një tjetër peshë. Në jo pak qarqe mediatike, afër qeverisë, janë hedhur si variante për zgjidhjen e krizës ide që çojnë dy palët kundërshtare PD dhe PS drejt një qeverie të përbashkët. Pavarësisht tezave të reja që hidhen në konsum publik, thelbi i skenarit është një kopje edhe më e keqe e marrëveshjes fatale për opozitën në vitin 2017. Sigurisht që janë hamendje dhe skenarë që gatuhen me kujdes nga brenda qeverisë për të trazuar zhvillimet politike. Ndaj dhe kreu i PD-së, Lulzim Basha në fjalimin e Elbasanit u kujdes që të çmontonte jo vetëm këto thashetheme, por edhe transmetuesit e tyre që e shohin krizën aktuale vetëm si çështje ministrave, parash dhe pazaresh. Përgjigja që iu dha dje këtij skenari vlen edhe si reagim për 6 letrat publike të Edi Ramës. Kriza në të cilën po kalon Shqipëria nuk mund të zgjidhet më me mënyrat e sprovuara deri më sot, ku dy palët ulen dhe ndajnë pjesët e pushtetit. Është një krizë sistemi politik që kërkon ndërhyje të forta dhe çdo dalja jashtë parimeve do të godiste gjithë besueshmërinë e betejës që ka nisur opozita. Nëse Basha e bënte këtë do të ishte vdekje politike për të dhe copëtim përfundimitar i PD-së. Për këto arsye, Lulzim Basha ritheksoi edhe një herë kërkesën fillestare të opozitës, e cila është dhe çelësi që do të shmangte gjithë thellimin e krizës. “Jemi investuar që kriza të zgjidhet vetëm në interes të qytetarëve. Dhënie fund e qeverisë ilegjitime, largim i Edi Ramës qeveri tranzitore për zgjedhje të lira e të ndershme, dialog kombëtar për reformim të sistemit. Zotimi im si kryetar i PD dhe i opozitës së bashkuar është se nuk do të ketë pazar me të keqen, se beteja për Shqipërinë si e gjithë Evropa do të shkojë deri në fund, deri në fitore”,- deklaroi kreu i PD.
Në qëndrimin e tij, kreu i PD-së pati dhe një mesazh për ndërkombëtarët. Basha u shpreh se nga partnerët e huaj opozita nuk ka kërkuar asgjë më shumë se zbatimin në Shqipëri të standardeve që ata kanë në vendet e tyre. Bashkë më mesazhet për Ramën dhe ndërkombëtarët, Lulzim Basha bëri dhe apelin për protestën e 2 qershorit për një pjesëmarrje sa më masvie. Këto pesë ditë pritet të jenë dhe më vendimtaret në zgjidhjen e krizës aktuale. Partia Socialiste do të vendosë më 1 qershor nëse do t’i shkojë deri në fund marrëzisë së zgjedhjeve vendore e vetme apo do të ketë reflektim për rreziqet që i kanosen vendit. Vendimi për të hapur fushatën nga ana e PS shihet si fundi i mundësive që 30 qershori të jetë një datë normale. Për më tepër, nisja e premtimeve elektorale në një garë pa kundërshtarë do të jetë tallja më e madhe që një parti në pusht bën ndaj qytetarëve, 30 vjet pas rënies së sistemit monist.
Dje, Lulzim Basha rrëzoi orvatjet që po bëheshin në kulisa mediatike dhe qeveritare për të përhapur dezinformim se Basha dhe Rama do firmosin një marrëveshje 10-vjeçare për bashkëqeverisje.
Copyrighted by News24 Albania
Ещё видео!