Lançohet shërbimi më i ri në sistemin doganor shqiptar, “Dogana pa letër”, i cili jo vetëm rrit cilësinë e shërbimit ndaj biznesit, por ul kosto dhe kohë për sipërmarrjet që zhvillojnë aktivitetin ekonomik të tyre në import-eksport. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, zhvilloi një vizitë në degën Doganore, Tiranë, ku pa nga afër gjithë proçesin e zhvillimit të shërbimit më të ri online për bizneset “Dogana pa letra”. Ky proces është ndërmarrë në kuadër të lehtësimit të procedurave dhe shërbimit ndaj biznesit, detyrim që rrjedh edhe nga Kodi Doganor i miratuar në vitin 2014. Ministrja Anila Denaj tha se nga ky shërbim i ri online do të përfitojnë rreth 93 % e bizneseve, të cilët deri më tani detyroheshin të paraqiteshin edhe fizikisht në sportelet doganore për depozitimin e deklaratës doganore.
“Ne sot po lançojmë këtë projekt, i cili në benefit të gjithë operatorëve është i ndjeshëm pasi 93 % do ta kenë procesin pa asnjë kontakt fizik dhe kohë optimale procesimi, dhe në bazë të matricës së riskut të gjithë operatorët të cilët klasifikohen me risk më të lartë, në gjuhën doganore me “kanal të kuq”, janë ata të cilët i nënshtrohen një kontrolli të plotë me të gjithë letrat, të gjithë të tjerë jo. Ky grup i “kanalit të kuq” përfaqëson në bazë të riskut dhe eksperiencës aktuale mesatarisht 7 % të operatorëve dhe në këtë rast, e gjithë pjesa tjetër sot kalon pa asnjë kohë procesimi në kontrolle, por edhe në letra, pasi edhe agjencitë doganore janë të unifikuara me këtë shërbim, me “signature” dhe me të gjithë letrat të unifikuara me sistemet tona”, u shpreh znj. Denaj.
Me këtë shërbim të ri online doganor për bizneset Shqipëria bëhet vendi i parë në rajon që e ofron.
“Përafrimi i ligjit dhe Kodit Doganor me 100 % ligjin e BE-së ka qenë baza për të bërë këto investime, por njëkohësisht për të vendosur theksin të objektivi që duam të arrijmë: së pari, rrugëtimi drejt Bashkimit Europian me të gjithë reformat dhe angazhimet që qeveria ka ndërmarrë dhe po zbaton, por edhe me fakte konkrete në procedura të cilat që sot, përtej këtij rrugëtimi, janë në dispozicion të gjithë operatorëve”, u shpreh Denaj.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Shqiptare, z. Arlind Gjokuta e konsideroi këtë si një moment historik për doganën shqiptare, pasi shkurton ndjeshëm kohën e pritjes së bizneseve në doganë, ul kostot e tyre, si dhe minimizon kontaktin ndërmjet biznesit dhe doganës, duke indikuar në mënyrë indirekte dhe në reduktimin e fenomeve korruptive.
Ещё видео!