Subscribe: [ Ссылка ]
Web: [ Ссылка ]
Facebook: [ Ссылка ]
Twitter: [ Ссылка ]
Instagram: [ Ссылка ]
TikTok: [ Ссылка ]
Kreu i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i kësaj force politike.
Në daljen e parë zyrtare pas dështimit në zgjedhjet vendore të 14 majit, Alibeaj deklaroi se partia duhet të riorganizohet në mënyrë kapilare.
“Zgjedhjet e 14 majit patën problematika të shumta, përdorim të administratës dhe të bandave, deri në mosfunksionim të plotë të pajisjeve elektronike. Por ne duhet të kthejmë sytë nga vetja.
Kam vendosur të largohem nga drejtimi i Partisë dhe nga drejtimi i grupit parlamentar në Parlament. Partia duhet të ndahet nga e kaluara berishiste”, u shpreh Alibeaj.
Në të njëjtën kohë, ai thekson se kjo forcë poltike duhet të ristrukturohet në bazë të rregullave dhe parimeve të reja.
“Në shenjë reflektimi dhe përgjegjshmërie, kam vendosur të largohem nga drejtimi i partisë dhe po ashtu nga pozicioni drejtues në grupin parlamentar.
Partia duhet të riorganizohet në mënyrë kapilare, në bazë të parimeve demokratike, siç e kam theksuar vazhdimisht gjatë fushatës elektorale. Partia duhet të ketë rregulla të reja, parime të reja, për t’u ndarë nga e kaluara berishiste dhe për të ndërtuar një aleancë me potencial për 2025-en.
Ne do të duhet të kuptojmë se si t’u flasim jo vetëm demokratëve, por edhe atyre qytetarëve të zhgënjyer nga politika e 30 viteve, të cilët përbëjnë shumicën e heshtur në vend.
Këtë, megjithatë, nuk mund ta bëjë një njeri i vetëm – qoftë ky edhe drejtuesi.
Unë po largohem për t’i hapur rrugën një drejtimi kolegjial të partisë, në këtë fazë që hedh themelet për të ardhmen.
Ka qenë një vendim i Kryesisë që vendosi që pozicionin drejtues, ta mbaja deri pas zgjedhjeve vendore”, vijon deklarata.
Ai theksoi se do të jetë pjesë e PD, por këtë herë do të rikthehet si nënkryetar.
“Tashmë që zgjedhjet përfunduan, po largohem nga drejtimi dhe do të vazhdoj të ushtroj detyrën time dhe përgjegjësinë ndaj demokratëve, si nënkryetar dhe pjesë e Kryesisë së Partisë Demokratike.
Këtë vit që e kam drejtuar partinë kemi patur disa arritje për të cilat jam krenar. Ne nuk kemi lejuar që Partia Demokratike të zhbëhet. Ne nuk kemi lejuar që Partia Demokratike të shkojë drejt Lindjes. Ne nuk kemi lejuar që Partia Demokratike të shkojë në rrugën qorre të antiamerikanizmit”, shton ai.
Partia Demokratike “preku fundin” në zgjedhjet e së dielës, ku u shpall forcë e katërt në bashkinë më të madhe në vend, ndërsa nuk fitoi në asnjë zonë.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, ka njoftuar vendimin për të organizuar një mbledhje urgjente të strukturave të kësaj force politike pas dorëheqjes së kreut të komanduar, Enkelejd Alibeaj.
Bardhi bën me dije se objekt i diskutimeve në mbledhjen e thirrur do të jetë ecuria e PD pas këtij vendimi, gjë e cila sipas tij do të ndodhë në bazë të statutit.
Pas largimit të Alibeajt, kryetarit të autorizuar nga Lulzim Basha, lidershipi i kësaj force mbetet në pikëpyetje, ndaj do duhet që partia të mbledhë Këshillin Kombëtar.
Joirda Tabaku është nënkryetare po ashtu e PD, por nuk është e autorizuar nga Lulzim Basha për të marrë drejtimin e partisë.
“Pasi jam njohur me deklaratën e Nënkryetarit të Partisë z. Enkelejd Alibeaj, që ushtron përgjegjësinë e drejtuesit të Partisë, se heq dorë nga ushtrimi i kësaj përgjegjësie dhe nga detyra e Kryetarit të Grupit Parlamentar, kam thirrur në një takim urgjent pune për të diskutuar për situatën Nënkryetaren e Partisë znj. Jorida Tabaku, për të vlerësuar mbi zbatimin e nenit 46 të Statutit, në këtë periudhë tranzitore.
Sipas nenit 46 te Statutit në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njëri prej tyre zëvendëson Kryetarin. Në mungesë të këtij autorizimi, duke përfshirë rastet e dorëheqjes nga detyra të Kryetarit, Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon Nënkryetarin që do të drejtojë Partinë deri në rikthimin e Kryetarit në detyrë apo zgjedhjen e Kryetarit të ri”, thekson Bardhi.
Kreu i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj njoftoi dorëheqejen e tij nga drejtimi i kësaj force politike pas dështimit në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Në të njëjtën kohë, Alibeaj ka dhënë dorëheqjen edhe nga drejtimi i Grupit Parlamentar të PD.
Ещё видео!