KORÇË - Nota pozitive priten nga qeveria shqiptare në progres raportin e Bashkimit Evropian për Shqipërinë. Kështu u shpreh ministrja e Integrimit Klajda Gjosha nga Korça ku ndodhej në një aktivitet për të rinjtë. Sipas saj raporti do të bëjë një panoramim të qartë të klimës politike që kemi në vend kohët e fundit.
“Kam bindjen se ai do të jetë pozitiv duke parë edhe ecurinë e reformave që ne kemi marrë gjatë vitit të fundit...Duke qenë se ende kemi një proces për reformën në drejtësi dhe në momentin e parë që kjo reformë do të kalojë në parlament ne shpresojmë se Shqipëria do të jetë gati për të kërkuar rekomandimin për hapjen e negociatave. Raporti do të paraqesë klimën pozitive të ecurisë dhe progresit që ne kemi pasur gjatë vitit të fundit, sidomos në reformën në administratën publike, në prioritetin numër 5 që ka të bëjë me të drejtat e njeriut por edhe më një sërë reformash që ne kemi ndërmarrë për ndërtimin e shtetit të së drejtës”, tha ministrja.
Lidhur me reformën në drejtësi, ministrja Gjosha u shpreh se ajo është vendimtare, dhe një kusht i panegociueshëm për integrimin e Shqipërisë.
“Reforma do të kërkojë një konsensus të gjerë dhe të gjitha palët duhet të bëhen së bashku sepse është një reformën vendimtare për vendin dhe për ecurinë e vendit në procesin e integrimit por edhe në zhvillimin e mëtejshëm të brendshëm”, u shpreh ministria e Integrimit Europian Klajda Gjosha.
Një ditë më parë po nga Korça, Ambasadorja e BE, Romana Vlahutin, u shpreh se progres raporti do të evidentojë ato fusha ku qeveria shqiptare duhet të bëjë më shumë punë.
“Dita Bashkëpunimit Europian”, me simbolikën e saj të solidaritetit, diversitetetit , por mbi të gjitha të unitetit brenda familjes së madhe europiane, erdhi ndryshe këtë vit nga qyteti i Korçës, i cili mikpriti organizimin e një aktiviteti artistik me të rinjtë.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha, Ambasadorja e Bashkimit Europia në Shqipëri, znj, Romana Vlahutin, Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo.
Ky aktivitet organizohet në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Shqipëri-Maqedoni, mbështetur nga Bashkimi Europian.
Për periudhën 2007-2013, ky program është drejt mbylljes, dhe arritjet e tij qëndrojnë pikërisht në përpjekjet unike të bashkëpunimit midis dy vendeve.
Përmes këtij programi u mbështetën 47 projekte me rezultate pozitive dhe impakt social. Ky program do të pasohet nga prorami i ri për periudhën 2014-2020, që lidhet me perspektiven financiare te Bashkimit Europian.
Parashikohet që në këtë hark kohor, programi i ri të kontribuojë në promovimin e punësimit të të rinjve, përfshirjes social- kulturore përtej kufijve. Prioritet do të ketë inkurajimi i turizmit, trashëgimia kulturore, rritja e konkurencës dhe mbrojtja e mjedisit.
Ещё видео!