LAZARAT- Prej 11 ditësh policia vijon aksionin në Lazarat, por mëngjesin e sotëm ka arritur zbulojë pranë varrezave të Gjirokastrës, një arsenal armësh, municionesh dhe predha antitank.
Mitrolozët e rëndë, murtajat, granatëhedhësit, granatat, fishekët dhe predhat murtajave dyshohet të jenë hedhur nga pjesëtarët e grupeve kriminale që qëllonin me armë nga Lazarati ndaj policisë dhe që kanë mundur të largohen para se policia të merrte në kontroll fshatin. Po gjatë paradites së të mërkurë policia ka gjetur edhe 15 automatikë dhe pushkë në fshat.
Zëdhënësja e policisë Laura Totraku, njoftoi se ishte arrestuar Vangjel Tule, 29 vjeç, pasi në banesën e tij ishin gjetur 46 kg marijuanë, e ndarë në 17 thasë, 14 granata defensive si dhe ndezës detonatorë.
Në total në 11 ditët e operacionit antikanabis në Lazarat, janë arrestuar 27 të dyshuar për sulmet me armë ndaj forcave të policies dhe për kultivim bimësh narkotike.
Po ashtu është proceduar penalisht dhe Kreu i Komunës Lazarat, Dasho Aliko, për organizimin e grupeve kriminale, dhe sulmin me armë ndaj policisë.
Në total janë asgjësuar 133 567 bimë kanabis, si dhe mbi 54. 5 ton marijuanë. Gjithashtu janë sekuestruar edhe 8 pako, me rreth 4 kg heroinë, 1.3 kg çokollatë marijuanë, si dhe 3 kg farë kanabis sativa.
Në fshat janë zbuluar 2 laboratorë të përpunimit të marijuanës dhe 3 laboratorë të përpunimit të vajit të hashashit, si dhe 2 inkubatorë për ngrohje.
Në total janë sekuestruar edhe 293 pushkë dhe automatikë, 13 pistoleta, 2 snajper, 1 mitroloz kundërajror me gjithë shtrat, 22 mitrolozë të lehtë, 1 gulinov, 4 antitank, 1 murtajë, 4 granatëhedhës si dhe 315 kallëpë tritol.
Policia raporton se janë kontrolluar 614 banesave dhe ambientesh të tjera në brendësi të fshatit Lazarat, ndërsa vijojnë kontrollet në tunelet e shumta që ka ajo zonë.
Ещё видео!