Jemi në muajin e Ramazanit që në arabisht quhet Ramedane. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ai është muaji i Ramadanit në të cilin është zbritur Kurani, udhëzim për njerëzit dhe dallues midis të drejtës dhe të kotës. Kush e përjeton prej jush muajin (e Ramazanit) le ta agjërojë…”. (Bekare: 185)
Në lidhje me burimin e këtij emërtimi ka patur mendime të ndryshme.
Disa janë shprehur se ky emërtim ka ekzistuar që në kohën e paganizmit paraislam.
Ibn Derijd thotë: “Arabët e hershëm I artikuluan emrat e muajve në varësi të kohës prezente të tyre, dhe i takoi që Ramazani të ishte në ditët e “ramad(it)-shkrumbit” të të nxehtit dhe fuqisë së tij.
Ibn Mundhiri thotë: “Muaji i Ramadanit, është përftuar nga fjala “ramad-shkrumbimi” i agjëruesit, thuhet “jermadu-u shkrumbua”, kur intensifikohet nxehtësia e brendisë së agjëruesit për shkak të etjes estreme“.
Sipas një interpretimi, ky muaj u quajt Ramadan, sepse ai i djeg mëkatet e njeriut, madje e djeg edhe vetë shpirtin për ta bërë më të pastër dhe për t’i larguar prej tij gjërat si egoizmi dhe mendjemadhësia.
Një mendim tjetër thotë se, emërtimi i këtij muaji buron nga një koncept krejtësisht i ndryshëm; e përshkruan veprimin e mprehjes së majës së një shtize, duke e vendosur atë ndërmjet dy gurëve dhe duke e goditur fort. Sipas këtij interpretimi, Ramazani është muaji ku njeriu vendoset ndërmjet bindjes ndaj Zotit dhe adhurimit të Tij, në mënyrë që shpirti i tij të përmirësohet dhe të përgatitet për adhurimin e mirëfilltë të Zotit.
Është thënë gjithashtu se Ramadan është njëri nga emrat e Zotit, që njeriu duhet ta shqiptojë me respektin më të madh; si rrjedhojë tallja me këtë emërtim është tallje me një nga emrat e Zotit.
Në disa thënie është përcjellur madje se muaji Ramazan është muaji i parë i vitit. Kanë thënë: Viti fillon me Ramazanin. Nëse ky muaj kalon me shëndet, i gjithë viti ka për të qenë i shëndetshëm.
Pa marrë parasysh kuptimit të tij, ajo që duhet të dime është se ky muaj është i rëndësishëm sepse në të, të gjithë njerëzit janë mysafirë të Zotit. Ndonëse njerëzit, qofshin besimtarë ose jo, janë gjithnjë mysafirë të mëshirës hyjnore dhe shijues të dhuntive të Zotit, prapëseprapë në muajin Ramazan ka një mëshirë të veçantë hyjnore ndaj agjëruesit.
Në një hadith kudsi, Zoti thotë: Agjërimi është për Mua dhe Unë jam shpërblimi i agjëruesit.
Agjërimi nënkupton abstenimin e njeriut nga heja dhe pija prej agimit deri në mbrëmje, porse shpirti I agjërimit është të abstenuarit nga fjalët dhe veprat e liga.
Prandaj të dashur vëllezër dhe motra, le ta bëjmë njet që në këtë muaj të begatë, të agjërojmë me mish e shpirtë, duke u shmangur nga llafosjet e kota dhe nga çdo konflikt me njëri-tjetrin, e t'i përkushtohemi sinqerisht devocionit ndaj Zotit të Plotfuqishëm dhe adhurimit shpirtëror.
ME FAT DHE MBARËSI.
Dhashtë Zoti që ta përmirësojmë vetvetën duke I djegur veset dhe xhynafet tona. Allahu e pranoftë nga ju agjërimin dhe të gjitha aktet e tjera të adhurimit.
Amin!
Ещё видео!