Paketa antishpifje shkon ne Venecia, këtë herë jo si kërkesë e institucioneve shqiptare. A2 mësoi se ka qenë vetë Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, pjesë e së cilit është edhe vetë Komisioni i Venecias që ka kërkuar mendimin e ekspertëve.
Këshilli i Europës i kishte dërguar autoriteteve shqiptare disa amendime për këtë paketë, por që nuk u morën parasysh nga mazhoranca gjatë diskutimit në Parlament.
Nisur dhe nga shqetësimet që kishte marrë, si nga shoqatat e medias, ashtu edhe nga opozita, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës nuk ka pritur me autoritetet shqiptare, por i është drejtuar Venecias. Kërkesa pritet të shqyrtohet në sesionin e marsit, por mazhoranca nuk priti për një opinion.
Në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, të majtët rrëzuan dekretin e presidentit për AKEP-in. Relatori Arben Pëllumbi tha se mungojnë argumentet. Por, përfaqësuesi ligjor i presidentit, Bled Dervishi insiston se dy nenet duhet të shqyrtohen të bashkëlidhura dhe nuk sheh arsye për ngutjen e mazhorancës pa u shprehur Venecia.
“Këto dy ligje është e detyrueshme të shqyrtohen bashkërisht. Duke qenë se këto dy ligje janë dërguar në Komisionin e Venecias për marrjen e një opinioni, do të duhej të pritej opinioni. Nuk e kuptoj këtë nxitim”, shtoi ai. “Do të shohim se si do të ecë shqyrtimi i ligjit tjetër dhe nëse qëndrojnë të dyja siç janë, në Gjykatën Kushtetuese”. Në kohën kur Presidenca thotë se nëse ligji nuk ndryshon do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, burime nga mazhoranca thonë për A2 se janë të gatshëm të bëjnë amendime, nëse ato vijnë si sugjerime nga Komisioni i Venecias.
- - -
Shkarkoni aplikacionin A2: [ Ссылка ]
[ Ссылка ]
[ Ссылка ]
[ Ссылка ]
[ Ссылка ]
#A2 #A2NEWS
A2 NEWS | CNN Exclusive News Channel Affiliate
Ещё видео!