Presidenti maqedonas Stavo Pendarovski është shprehur kundër opsionit të shkëmbimit të territoreve, i përfolur në negociatat mes Serbisë dhe Kosovës. Për kreun e shtetit të Maqedonisë së Veriut, një lëvizje e tillë do të ishte e papërgjegjshme dhe me pasoja për rajonin.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski deklaroi se nuk pret që tensionet e fundit në Kosovë do të kenë ndikim në gjendjen e sigurisë në vend. Ai I ka quajtur të papërgjegjshme deklaratat për shkëmbime territoresh në rajon.
Pas përplasjeve të fundit, në distancë, mes krerëve të Serbisë dhe Kosovës, lidhur me arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme dypalëshe për çështjen e kufirit, përfshirë këtu dhe mundësinë e korrigjimit të tij, shkëmbimin e territoreve, apo edhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha se kjo e fundit është një ide anakronike që nuk mund të sjellë asgjë të mirë:
“Është e papërgjegjshme të bisedohet për një ide në esencë të tmerrshme për shkëmbim të njerëzve dhe qytetarëve në shekullin XXI. Për të fundit herë një punë e tillë, me mbështetjen e fuqive të mëdha, ka ndodhur para rreth një shekulli, në vitin 1923. Pyeteni edhe Greqinë, edhe Turqinë – edhe sot e kësaj dite bartin pasojat e këtij shkëmbimi të njerëzve dhe territoreve”, tha presidenti Pendarovski duke nënvizuar se nuk mund të paramendojë të ndodhë diçka më e tmerrshme nëse ngjet që dikush me të vërtetë të mendojë seriozisht të fillojë realizimin e një projekti të këtillë.
I këtij mendimi është edhe profesori Vlado Buçkovski, ish-kryeministër i Maqedonisë. Duke folur për televizionin tonë, në emisionin Klan Debat, zoti Buçkovski tha se marrëveshja më e mirë, pa pasoja për rajonin, do të ishte sikur Prishtina e Beogradi të merren vesh për njohjen e kufirit të tashëm. Ka kaluar koha e shteteve të mëdha, thotë ai.
“Ka kaluar koha e shteteve të mëdha. Tani është koha për Evropën e Madhe, kështu që lehtësimet e tipit ‘një ndalesë’, rrëfimet se do të ketë kufij të hapur ose vetëm një polici kufitare apo një doganë – kjo do të bëhet modë në rajon, sidomos tek shtetet sikurse jemi ne, Serbia, Shqipëria, Kosova, që ende nuk jemi pjesë e Bashkimit Evropian”, thotë për Televizion Klan ish-kryeministri maqedonas Vlado Buçkovski.
Sipas tij, do të ishte mirë që Kosova e Serbia të ndjekin përvojën e Maqedonisë me ‘Marrëveshjen e Ohrit’, për shkak se ajo u tregua si e qëndrueshme në raport me ‘Marrëveshjen e Dejtonit’, për Bosnjën, apo edhe me ‘Marrëveshjen e Kumanovës’ mes Kosovës e Serbisë që sot e kësaj dite janë të debatueshme./ABC News Albania 24/7
Ещё видео!