Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka qenë i ashpër me policët në takimin me Ramën. Ai u shpreh se besimi te policia është lëkundur ditët e fundit pas ngjarjeve që janë bërë publike.
“Ne do të mbështesim, promovojmë dhe punojmë fort me këtë grup profesionistësh dhe njerëzish me integritet për të rikonfirmuar besimin e qytetarëve tek Policia e Shtetit, besim i cili është lëkundur me ngjarjet e muajve të fundit” tha ai.
Xhafaj ka kërkuar nga policët që e shfrytëzojnë pozitën për qëllime kriminale që më mirë të largohen nga kjo organizatë.
“Ndaj nëse dikush nuk e kupton kështu qenien anëtar të Policisë së Shtetit, por përkundrazi e shikon atë si mjetin për të përmbushur interesat të tij të paligjshme, apo edhe më keq e shfrytëzon qënien në policinë e shtetit për interesa kriminale, është më mirë të largohet nga kjo organizatë”.
Në fund të fjalës së tij ministri lajmëroi se në nëntor do të zbarkojnë ekseprtët e FBI për të ndihmuar në luftën ndaj krimit.
“Siç e kam bërë të njohur edhe më parë me kërkesën e qeverisë shqiptare, në fillim të nëntorit do të vendosen këtu në ministri për të punuar së bashku me ne, ekspertë të FBI si dhe të Ministrisë Federale të Gjermanisë”.
Deklarata e plotë e Fatmir Xhafes
Jashtë çdo formalizmi që karakterizon thëniet dhe deklarimet në takimet zyrtare, apo jo të tilla, mbi zotimet, objektivat, planet, strategjitë, vullnetet mbi çështjet e rendit publik, dhe jo vetëm, në përgjegjësinë e Ministrit të Brendshëm, të nderuar drejtues të Policisë së Shtetit, dua t’ju them se jam plotësisht i ndërgjegjshëm për rëndësinë themelore që ka sot rendi dhe siguria si dhe sa e rëndësishme është përgjegjësia që kam dhe puna që unë si ministër duhet të bëj në lidhje më këtë çështje.
Ndaj, ashtu sikurse unë si drejtues politik i këtij institucioni edhe ju si struktura teknike që keni përgjegjësinë kushtetuese dhe ligjore për rendin dhe sigurinë publike, dua ta them që në krye të herës, se nuk mundet ta ushtroni këtë përgjegjësi dhe nuk mundet të përmbushni objektivat që keni, nëse nuk jeni të ndërgjegjshëm për çfarë përfaqësoni dhe për çfarë duhet të bëni.
Të jesh punonjës i policisë së shtetit, pra të jesh ai që me punën që kryen, bën që jeta dhe pasuria e qytetarit të këtij vendi të jenë të pacënuara nga keqbërës të ndryshëm, do të thotë që je duke ushtruar një funksion shërbyes publik shumë të rëndësishëm, në mos më i rëndësishmi.
Ndaj është e logjikshme që ata që shërbejnë në këtë detyrë duhet të jenë më së pari persona me integritet të lartë personal dhe po ashtu duhet të kenë aftësi të spikatura profesionale. Dhe kjo çfarë them nuk është një sentencë formale.
Të punosh për të ruajtur jetën dhe pasurinë e qytetarëve të vendit tënd dhe ta mbrosh atë nga keqbërës të ndryshëm nuk është një punë e lehtë. Përkundrazi është një punë shumë e vështirë. Vështirësia e saj shkon deri në sakrifikimin e jetës.
Ещё видео!