Pas lajmeve nga Brukseli se në Tetor negociatat mund t’i hapë vetëm Maqedonia e Veriut dhe jo Shqipëria, reagon ministri Gent Cakaj. Ai thotë se nuk ka asnjë arsye që kjo ndarje të bëhet mes dy vendeve që kanë pasur një rrugëtim të përbashkët.
Nuk ka asnjë arsye që Maqedonia e Veriut të hapë negociatat në tetor, dhe Shqipëria të ngelë në vendnumëro. Këtë vlerësim ka ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj gjatë një interpelance me studentët të çështjeve ndërkombëtare dhe integruese.
“Pikërisht që është vendim meritor individual negociatat duhet të hapen edhe për Shqipërinë edhe për Maqedoninë e Veriut në të njëjtën kohë. Kushtet janë të ndryshme, por meritat i kemi të njëjta sepse Komisioni ka folur njëzëri për të dyja. Nga pikëpamja parimore nuk ka asnjë bazë objektive për ndarjen të Shqipërisë nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Tetor”, tha ai.
Ministri tha se në Qershor Shqipërisë ju konfirmua mbështetja duke ju njohur puna për përmbushjen e kushteve.
“Konkluzionet e Këshillit të Qershorit 2019 bëjnë të qartë se të gjitha vendet anëtare në mënyrë pozitive vlerësojnë raportin e Komisionit në veçanti dhe rekomandimin për hapjen të pakushtëzuar t negociatave të Shqipërisë me BE-në në përgjithësi. Kjo do të thotë se kemi një konfirmim paraprak politik të Këshillit, për vlerësimin pozitiv teknik që kemi marrë nga Komisioni”, tha Cakaj.
Në 18 Tetor, Këshilli Evropian do të shprehet nëse do të zgjerohet me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Së fundmi mediat belge thanë se bisedimet do t’i nisë vetëm Shkupi, dhe jo Tirana./ABC News Albania 24/7
Ещё видео!