Gjykata për Krime të Rënda hapi shqyrtimin gjyqësor për ish-ministrin Saimir Tahiri dhe Jaeld Çelën, ndërsa u detyrua të shtyjë seancën pasi në dosje mungonte përkthimi i dëshmive të të pandehurve Moisi Habilaj dhe Nezar Seiti. Gjatë seancë, ish-ministri kërkoi që seanca të mos shtyhej ndërsa tha se hiqte dorë nga këto dëshmi që ishin në favor të tij dhe gjykimi të vazhdonte. Në dalje të seancës, Tahiri hodhi akuza mbi prokurorinë për mungesë serioziteti.
Saimir Tahiri, u paraqit në Gjykatën e Krimeve të Rënda në orën 9:00, i shoqëruar nga avokati i tij Maks Haxhiaj. Shkak për shtyrjen e gjyqit ishte mungesa në fashikujt e gjykimit të përkthyera në shqip për dëshmitë e dhënë në Itali për Meriadian Sulën, Nazer Seitin dhe Moisi Habilajn.
Gjatë seancës, prokurorët kërkuan kohë të gjenin fashikujt e anëtarëve të bandës Habilaj dhe pas 10 minutash pushim, përfaqësuesit e akuzës u kthyen në sallë dhe njoftuan se dëshmitë ishin vetëm në italisht, ndaj u duhet kohë për përkthimin e tyre.
Kjo situatë ka sjellë reagimin e ashpër të ish-ministrit Tahiri, i cili e konsideroi qesharake dhe kritikoi organizimin në Prokurori. Më herët gjyqtari Ardit Mustafaj vendosi të gjykohet bashkë Tahiri dhe Jaeld Çela, ish- drejtori i policisë së qarkut Vlorë.
Ndërkohë, gjykimi është ndarë për Gjergji Kohilën dhe Sokol Boden, ish-policë në Vlorë, pasi nuk është bërë njoftimi. Kjo do të thotë se me ndryshimet e reja të reformës në drejtësi, gjykimi për ta do të pezullohet me një vit. Në dalje të seancës, Tahiri hodhi akuza mbi prokurorinë për mungesë seriozitet.
“Edhe një çerdhe kalamajsh është më e organizuar se kaq. Nuk e di si mund të ndodhë që të humbasin letrat në prokurori ku ka një protokoll, ku ka një sistem… Nuk e di se çfarë sistemi është ky. Me këto letra Prokuroria kërkoi arrestimin tim. Sot i kanë humbur? Kjo është qesharake”.
Ish-ministri i Brendshëm tha se është e tepërt që gjyqi të shtyhet, edhe pse, provat janë në favor të tij.
“Unë po heq dorë nga disa dëshmi që janë në favorin tim, por mjafton të mos shtyhet. Sot letrat me të cilat iu kërkua Parlamentit arrestimi im, janë zhdukur. Ministria e Drejtësisë i ka sjellë përgjigjet në Prokurori, përkthimet në prokurori. E quaj të tepërt të shtyhet gjyqi për herën e tretë. Është skandaloze, është poshtëruese për drejtësinë”.
Seanca e radhës në Gjykatën e Krimeve të Rënda është përcaktuar për më 22 korrik për Saimir Tahirin. Ndaj tij janë ngritur tre akuza: “Trafikimi i narkotikëve, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Grup i strukturuar kriminal”./ABC News Albania 24/7
Ещё видео!