Kryeministri Edi Rama në një koment të gjatë të publikuar në rrjetet sociale ka ndarë me ndjekësit tre konsideratat e tij në një ditë, ku në fakt bëhet fjalë për tre çështje më të rëndësishme së fundmi.
Së pari kreu i qeverisë ndalet tek kryesimi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit. Javën e ardhshme vetë kryeministri Edi Rama do të drejtojë një mbledhje të KS-së në OKB. Kjo sipas tij duhet të na bëjë krenarë dhe të na frymëzojë pasi do të thotë shumë për ngjitjen e shtetit tonë në një nivel të ri.
Një tjetër krenari, kreu i qeverisë përmend edhe komunitetet etnike.
“Ne kurrë nuk nxisim trazime etnike as në shtetet fqinje, as mes shteteve fqinje, duke prekur ndjenja që mund të ushqejnë kundërshti e të ndezin konflikte në këtë lagje të Europës”, shprehet kreu i qeverisë duke iu referuar minoriteteve shqiptare në shtetet fqinje.
E nga këtu doli në një tjetër çështje të rëndësishme që përfshin reformën në drejtësi ku si rast mori gjyqin ndaj Fredi Belerit që ka shkaktuar reagimin e Greqisë. Kryeministri përsërit se nuk do të ndërhyjë kur vjen puna “tek patatet e nxehta në duart e drejtësisë”.
“Sot, për herë të parë në historinë e shtetit të saj, Shqipëria po e nxjerr kokën mbi ujin e ndenjur të pandëshkueshmërisë sistemike 100 e kusur vjeçare. Hetimi dhe ndjekja e pavarur penale e një sërë zyrtarësh të lartë të lidhur me pushtetin politik të radhës, përfshirë njërin prej zëvendëskryeministrave të mi të mëparshëm, janë prova kokëfortë e një ndryshimi epokal në jetën e vendit tonë.
Ndonjë po thotë se kur vjen puna tek ndonjë patate shumë e nxehtë në duart e drejtësisë, si ajo e zotit Beleri, unë duhet të ndërhyj e ta hedh pataten në det, por kjo nuk ka për të ndodhur kurrësesi. Dhe unë vetëm do të përsëris deri në bezdi për shumëkënd, se lufta kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar vetëm do të thellohet, pavarësisht dhimbjeve e kostove, sepse kjo luftë është e drejtë dhe e domosdoshme për Shqipërinë Europiane të të gjithë fëmijëve të këtij vendi”, thotë kryeministri.
Në fund, Rama ndalet tek takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Lutja e tij është që ky takim të mos jetë një tjetër, “xhiro bosh, për një tjetër përsëritje të këngës “fajin e ka tjetri””.
Pasi sqaron edhe njëherë se pse u anulua mbledhja e përbashkët mes dy qeverive dhe propozimin e tij për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serb, kryeministri Rama shprehet se “Përfundimi i suksesshëm i procesit të normalizimit të Kosovës e Serbisë janë parësore për paqen dhe sigurinë rajonale, po edhe për sigurinë e vetë Europës.”
SUBSCRIBE to "RTV KLAN" on YouTube for more videos!
Për më shumë informacione vizitoni faqen tonë web [ Ссылка ]
Follow Klan News on Facebook: [ Ссылка ]
Follow @klannews on Instagram: [ Ссылка ]
#KlanNews #KlanNewsLajme #TvKlan
Ещё видео!