DURRËS - Këtë vit, Festivali Ndërkombëtar Veror i Filmit i Durrësit do të hyjë në një dimension të ri duke u shtrirë në një disipline tjetër artistike që është ajo e artit figurativ me të gjitha format e shprehjes së tij. Ekspozita e Artit Figurativ “Durres Art” është çelur në Galerinë e Arteve Pamore “Nikolet Vasia”.
Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 14 Shtator, atëherë kur do të ulet sipari i edicionit të 7 të" Durrës International Film Summerfest". Kjo hapësirë e re në strukturën e festivalit të filmit është pagëzuar me emrin “Durrës Art” dhe është një platformë që i dedikohet profesionistëve dhe artdashësve.
Në këtë ekspozitë janë ekspozuar rreth 150 punime të 76 artistëve piktorë e skulptorë nga Shqipëria por edhe vende të ndryshme të botës si nga Franca, Norvegjia, Hollanda, Italia, Brazili dhe Kirgistani ku shumë prej këtyre artistëve do të jenë prezent në Durrës gjatë gjithë javës së festivalit jo vetëm për të ekspozuar punimet e tyre por edhe për të punuar disa piktura murale në qytetin e Durrësit.
Në ceremoninë e çeljes së ekspozitës mori pjese edhe kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako. Ai deklaroi se "Durrësi është një qytet turistik ndaj Bashkia e Durrësit do të mbështesë gjithmonë artin dhe ta vërë atë në shërbim të qytetarëve dhe të vizitorëve të shumtë".
Më pas ai shtoi“Është një ekspozitë mjaft interesante që çelet në kuadër të festivalit të filmit, një ekspozitë ku ndërthuret kultura shqiptare dhe ajo evropiane. Por e veçanta e këtij aktiviteti nuk është vetëm ekspozita pasi artistët pjesëmarrës do të krijojnë vepra artistike në qytetin e Durrësit duke zbukuruar fasadat me pikturat e tyre murale si dhe do të krijojnë shumë skulptura duke i dhënë një imazh tjetër qytetit.
Ndaj ne do të vazhdojmë përherë e më tepër të mbështesim artin dhe kulturën sepse pa art dhe kulturë nuk mund të ketë zhvillim. Durrësi është një qytet turistik ndaj ne do të mbështesim gjithmonë artin dhe ta vëmë atë në shërbim të qytetarëve dhe të vizitorëve të shumtë.
“Është një mesazh për të gjithë qytetaret që ta duan dhe ta shikojnë këtë ekspozitë, sepse kjo ekspozitë është një ndërthurje ndërmjet dy kulturave asaj Shqiptare dhe Europiane”, u shpreh kryebashkiaku Vangjush Dako.
Ещё видео!